Rrathët e errët poshtë syve përveç se shfaqen tek të rriturit, ata mund të jenë evident edhe tek foshnjat. Megjithatë, shpjegimi i mjekëve është se kjo gjë është krejtësisht normale.
Tek të gjithë njerëzit lëkura poshtë syve është shumë më e hollë se çdo pjesë tjetër e fytyrës dhe këtu as fëmijët nuk bëjnë përjashtim.Kjo do të thotë që enët e gjakut në këtë zonë janë më të dukshme, e për rrjedhojë edhe ngjyra është më e theksuar pikërisht poshtë syve, transmeton e-Medial.
Mund të ndodhë që lëkura e fëmijës suaj të jetë edhe më transparente se e fëmijëve të tjerë e për rrjedhojë ngjyra e errët do të jetë më e dukshme tek fëmija juaj, por kjo nuk është arsye për t’u shqetësuar.
Ka shumë mundësi që një gjë të tillë fëmija ta ketë trashëguar nga prindërit ose ndonjë pararadhës tjetër. Nëse në familjen tuaj ka persona që i kanë më të errëta zonat poshtë syve, atëherë kjo është përgjigjja pse e vëreni këtë dukuri edhe te fëmija.
Lodhja mund të bëjë që lëkura e errët të dalë më shumë në pah. Nëse fëmija juaj është shumë i lodhur, çehrja e tij mund të duket më e zbehtë. Kjo do t’i bëjë enët e gjakut nën lëkurën e tij të duken më të errëta. Fëmija juaj gjithashtu mund të fshijë sytë kur ai është i lodhur, duke e bërë lëkurën e ndjeshme rreth syve të tij të marrë ngjyrë të kuqe.
Nëse vetë lëkura e fëmijës është e errët, kjo do të theksojë pjesën poshtë syve.
Herë pas here, errësimi i lëkurës poshtë syve shkaktohet nga diçka tjetër përveç toneve të ngjyrës. Alergjia mund të jetë një nga shkaqet. Një infeksion bakterial në sinus gjithashtu mund t’i japë fëmijës enjtje të zonës poshtë syve, ose thjesht ngjyrë të errët.
Nëse mendoni se fëmija ka infeksion duhet të konsultoheni me mjekun.