Aksioni për Nëna dhe Fëmijë po vazhdon me donacionet në barna dhe pajisje, të cilat po i shpëtojnë jetët e të posalindurve në QKUK.
Së fundmi është njoftuar për foshnjën Leron, i cili kishte lindur në javën e 30-të të shtatzënisë. Falë donacionit të medikamentit Survanta dhe pajisjeve të mundësuara nga Aksioni, dhe trajtimit nga stafi i Klinikës së Neonatologjisë, është arritur t’i shpëtohet jeta vogëlushit, shkruan Gazeta Shneta.
Njoftimi i plotë:
Mamit Edona, pas dy vajzave i erdhi në jetë edhe një djalë i quajtur Leron. I vogli Leron, lindi ne javën e 30-të të shtatzënisë dhe ishte në rrezik për jetë mirëpo falë pajisjeve të mundësuara nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe trajtimit të stafit të Klinikës së Neonatologjisë ai tani është në gjendje të mirë shëndetësore.
Leroni u trajtua me një doza Survanta dhe qëndroi për 10 ditë në inkubator. Përgjatë kohës që qëndroi në Klinikën e Neonatologjisë, ai u trajtua me sistemin e oksigjenit, tubat e frymëmarrjes, CRP, CPAP, fototerapinë dhe skriningun e syrit.