Në një raport të vitit 2000, organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Ëatch vlerësoi se “Dhunimi është përdorur si taktikë lufte për t’i poshtëruar, frikësuar dhe zhvendosur me forcë civilët e një komuniteti të veçantë etnik dhe si mjet për ta ndryshuar demografinë e një territori”.
Por, derisa lufta e Kosovës po zbehet në histori, dhunimi megjithatë mbetet një realitet i përhershëm për mijëra gra që e kanë përjetuar atë.
Një grua e cila lindi një fëmijë si rezultat i dhunimit gjatë luftës ka rrëfyer se njësitet paramilitare e mbajtën atë për dy ditë në një shtëpi private të një fshati të Pejës.
“Kam qenë shumë keq. Madje nuk e dija që kisha mbetur shtatzënë. Kur mjeku më tregoi për shtatzëninë, desha të mbys veten. Isha 17 vjeçe. Ata më thanë se isha në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe ishte vonë për abort”, tha ajo.
Në një bisedë të shkurtër e të vështirë në një nga qendrat që ofrojnë mbështetje për viktimat e dhunës, ajo ka rrëfyer për lindjen e fëmijës.
“Mjekët dhe një psikologe mundësuan që urologu ta bëjë një diagnozë që tregonte se barku fryhej ngase veshka nuk po punon”, rrëfen ajo.
Një OJQ gjermane ia pagoi qiranë e një banese ku ajo mundi të fshihej nga familja derisa kreu lindjen. Ajo tregoi se djali që lindi ishte një foshnje e shëndetshme. “Nuk qante fare”.
Por, ajo e ushqeu vetëm një herë me gji foshnjën e saj dhe më pas e braktisi. “Nuk e di ku është tani. As që dua të di”, është përgjigjur shkurt ajo, duke refuzuar të japë detaje tjera.
Përderisa gruaja zeshkane, shtatgjatë, thotë se jeta e saj tani është më e mirë, ajo ka hezituar të tregojë më shumë për veten, të tashmen e saj, apo qoftë edhe nëse e ka çuar në mend të aplikojë për statusin e viktimës.
Por me apo pa atë status, ajo gjithmonë do të ndihet e ndjekur nga fantazma e të qenit nënë e një fëmije të braktisur.
Numri i fëmijëve të lindur nga gratë e dhunuara gjatë luftës nuk do të dihet kurrë. Deri më tani, organizatat që ndihmojnë të mbijetuarat e dhunimeve kanë pranuar të dhëna vetëm për katër ose pesë prej tyre.
Informatat janë marrë kryesisht nga gratë dhe qendrat mjekësore në Shqipëri e Maqedoni, ku refugjatët kërkuan mbështetje.
“12 nga 120 gratë që janë trajtuar në qendrën tonë kanë kryer aborte në Kukës, që të gjitha nga shtatzënitë që erdhën si pasojë e dhunimit. Vetëm një grua kreu lindje, dhe ajo e braktisi foshnjën”, ka thënë Veprore Shehu nga Medica Kosova.
As spitalet dhe as strehimoret për fëmijë të braktisur në Kosovë nuk kanë të dhëna për fëmijët e lindur si pasojë e dhunimit apo për fëmijët e braktisur gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Skema aktuale e reparacioneve nuk ofron qasje në përkujdesje shëndetësore, arsim apo shërbime tjera për fëmijët e të mbijetuarave që në mënyrë indirekte kanë qenë të prekur nga dhuna.
“Duhet të gjendet një mënyrë për t’u siguruar që fëmijët që janë lindur si rezultat i dhunimit të jenë të përfshirë në masat e reparacioneve, pa u veçuar si fëmijë të lindur nga dhunimi”, thotë Hobbs.
Pas vitesh heshtje e stigmatizimi, Parlamenti i Kosovës në vitin 2014 miratoi një ligj që u njeh këtyre grave statusin e viktimave dhe u jep atyre një pension mujor që nuk kalon përtej 220 eurove.
Në fund të muajit prill, qeveria themeloi Komisionin për Verifikim dhe Njohje të statusit të viktimës së dhunës duke kryer procedurat nënligjore që mundësojnë nisjen e procesit.
Tekstin e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun e Kallxo.com.