Rreth 200 pacientë kryejnë kimioterapinë brenda ditës në Onkologji të QKUK-së

2018-10-01 në ora 08:02

Klinika e Onkologjisë në QKUK përballet me fluks të pacientëve të sëmurë nga kanceri. Vetëm një pajisje për rrezatim iu shërben më shumë se 60 pacientëve brenda ditës

Ariana Ismaili

Klinika e Onkologjisë në QKUK ofron shërbimin e kimioterapisë, radiologjisë dhe shërbimin 24 orësh. Këto reparte frekuentohen nga një numër i madh i pacientëve gjatë ditës. Këtë e ka deklaruar drejtori i kësaj klinike, dr. Ekrem Hyseni.

“Reparti i kimioterapisë frekuentohet nga 200 pacient brenda ditës, i radioterapisë nga 100 në ditë, kurse shfrytëzimi i repartit 24 orësh është 90 %. Aktualisht çdo shtrat shfrytëzohet nga dy herë në ditë”, ka thënë Hyseni. Sipas mjekut, rastet më të shpeshta janë sëmundjet e kancerit të gjirit dhe të mushkërive e më pak të kancerit të zorrës së trashë, shkruan Gazeta Shneta.

“Tek disa lloje të kancerit zbulimi i menjëhershëm vlenë shumë, si tek ai i gjirit që mund të shërohet krejtësisht, por kur sëmundja është agresive si rasti i kancerit të pankreasit, atëherë është shumë më vështirë.” Ka thënë ai. Poashtu, Hyseni ka folur edhe për shkaqet e shfaqjes së kancerit dhe simptomat.

“Shkaktarët më të shpeshtë janë gjenetika, duhani, akooli, rrezatimet e ndryshme, infeksionet, por ndonjëherë shkaku nuk identifikohet pasi që nuk është aq i qartë, ndërsa simptomat dallohen kur individi bënë ndonjë kontroll për shkak të dhembjes apo mosfunksionimit të rregullt të ndonjë organi, por janë të ngjashme edhe me sëmundje tjera”, ka deklaruar ai. Sipas tij, Kosova mbetet vendi me më së paku të sëmurë me kancer, prandaj nuk udhëzojnë pacientët për në vendet e tjera.

“Kosova ka më së paku të prekur nga llojet e kancereve, mosha mesatare e pacientëve është 30 vjeç. Vetëm 20 raste të reja paraqiten brenda vitit”, ka deklaruar Hyseni. Problemi i vetëm i kësaj klinike mbetët ngarkimi i tepruar i aparaturave.

“Aparaturat janë të stërngarkuara, vetëm gjatë ditës së sotme njëri aparat për rrezatim ka pasur 65  raste”, ka përfunduar mjeku. /Gazeta Shneta/