Infektologu dhe profesori Hamdi Ramadani ka bërë thirrje që qytetarët të marrin dozën e tretë të vaksinës antiCOVID, për t’u mbrojtur nga Omicroni.
“Situata rëndohet nëse nuk merren masa nga organet kompetente që masat të jenë të zbatueshme detyrimisht, të jenë obliguese. Ajo që është e rëndësishme është edhe vaksinimi. Vetëm me dy doza vaksinimi nuk mund të mbrojë nga Omicroni. Në vendin tonë kemi fare pak qytetarë që e kanë bërë dozën e tretë ose atë përforcuese të vaksinës antiCOVID, edhe kjo e bën që të rëndohet situata epidemiologjike”, u shpreh infektologu Ramadani.
Sipas tij, do të ishte shumë më e përshtatshme që tashmë të vendosej puna e një pjesë e mësimit online, për të shmangur kontaktet me shumë njerëz.
“Institucionet tona duhet të bëjnë edhe më shumë, që të ndërmarrin masa që të bëhen online punë të ndryshme, të kalojnë në atë hap që të shmangen kontaktet, grumbullimeve sa më të mëdha. Të kalohet qoftë edhe mësimi online, sikur po bëjnë edhe vendet e tjera. Nëse situata do të jetë shumë e rënduar atëherë duhet të mendohet për masa më shtrënguese, apo më kufizuese që bëhen me paraqitjen e rasteve të shumta me Omicron”, tha Ramadani.
Infektologu Ramadani thotë se tash e tutje mund të ketë shumë më shumë raste me variantin Omicron dhe nuk përjashtohet mundësia që të rëndohet situata.
“Duke marrë parasysh edhe ardhja e madhe e qytetarëve nga diaspora, tash kur Omicroni është mbizotërues, koncentrimi i madh në vende, në lokale bashkë me gripin sezonal, janë të gjithë kontribuues që për një të ardhshme prej afërsisht katër javësh, në vendin tonë mund të paraqitet një valë e re me infeksion, Omicron dhe Delta po ashtu ende është i pranishëm”, tha Ramadani.