Rrëzimi i fëmijës me kokë, kur është me rrezik?

2017-03-29 në ora 09:17

Pasi fëmija ka rënë nga një sipërfaqe e caktuar shqetësimi i prindërve është i madh. Fëmija mund të pësojë në këtë rast një goditje të jashtme ose një goditje të brendshme.

Hematoma e jashtme (e lëkurës): kjo është një goditje që shkaktohet në sipërfaqen e jashtme dhe nuk është me rrezik. Shenjat do të largohen pas disa ditësh, ndoshta duke e trajtuar me ndonjë pomadë apo xhel specifik.

Hematoma e brendshme (në kafkë): në këtë rast mblidhet një sasi gjaku në kafkën e kokës. Tek fëmijët e vegjël (deri në 18 muajsh) prania e fontanelave të hapura e lehtëson disi rrezikun e goditjes duke bërë të mundur njëfarë amortizimi të goditjes si pasojë e elasticitetit të kockave. Megjithatë goditja mund të jetë e aq e madhe sa të provokojë një dëm të madh.

Sjellja e fëmijës pasi ka goditur kokën

Fëmija ka goditur kokën dhe ka ngelur për një periudhë kohë pa ndjenja? Duhet të shkoni tek mjeku.

Shenjat që nuk duhet të anashkaloni tek fëmija janë:

Nuk i përgjigjet komandave të thjeshta si: vendose dorën në kokë, më trego dhëmbët;

Duket i përgjumur dhe nuk i hap sytë në mënyrë spontane, por vetëm në rast se e thërrisni;

Duket konfuz, i çorientuar, thotë gjëra pa kuptim;

Duket i irrituar, jo i gëzueshëm, qan pa arsye, qesh pak, sillet ndryshe nga zakonisht.

Nëse fëmija vjell menjëherë pasi ka goditur kokën mund të ndodhë për shkak të frikës, por nëse vjell 1-2 orë pas goditjes duhet të shkoni menjëherë tek mjeku.

Dhimbja e kokës e shpeshtë dhe intensive është një shenjë alarmi.

Shenjat e frakturës së kafkës janë:

Gjakderdhje nga hunda ose nga veshi;

Shenja vishnje poshtë syve;

Shenja vishnje pas veshit.