Rreziqet e mëdha nga rrethorët me rrota që prindërit duhet t’i dinë

2017-07-06 në ora 12:11

Për prindërit është shumë emocionuese të shohin fëmijët e tyre duke marrë hapin e parë.

Kur u shpikën pajisjet e para me rrota që ndihmonin fëmijët të ecnin, prindërit ishin shumë të kënaqur, shkruan NYT, transmeton Gazeta Shneta.

Disa prindër i përdorin akoma këto pajisje. Madje në vendin tonë janë mjaft të përhapura.

Por prindërit duhet ta dinë se përdorimi i tyre e vonon zhvillimin motorik dhe mendor. Me një fjalë, janë të rrezikshëm për fëmijët.

Në vitin 1994 Komisioni për Sigurinë e Produkteve në SHBA, konstatoi se rrethorët me rrota për fëmijët ishin përgjegjës për shumë lëndime, sesa çdo pajisje tjetër. Llojet e lëndimeve përfshinin në kokë, kockat e thyera, dhëmbë të thyer e të tjera, që çonin deri në amputime apo edhe vdekje të fëmijëve.

Këto dëmtime ndodhnin për shkak të pasigurisë pasi fëmijët rrotulloheshin shkallëve, apo arrinin deri te pajisjet shtëpiake, si mund të jetë shporeti i nxehtë.

Megjithëse sot këto pajisje kanë ndryshuar dhe janë më të sigurta në këtë aspekt, ato mbesin ende të rrezikshme dhe të padobishme për fëmijët.

Kanadaja e ndaloi përdorimin e tyre në vitin 2004 dhe posedimi i një rrethi të tillë gjobitet deri në 100 mijë dollarë ose gjashtë muaj burg për prindërit. /Gazeta Shneta/