Për dy muaj katër aksidente me fatalitet në Ferizaj. Gjatë dy muajve të fundit, në rajonin e Ferizajt kanë ndodhur 4 aksidente me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 365 të tjera me të lënduar dhe me dëme materiale. Ky numër i aksidenteve dhe fluksi i madh i automjeteve, ka bërë që Policia e Kosovës të hartoj plane për parandalimin e aksidenteve.
Së fundmi Policia ka krijuar një task forcë, ku përveç që ka rritur numrin e patrullave në trafik, ajo detyrën e saj po e kryen edhe duke patrulluar me vetura civile në mënyrë që t’i identifikoj shkelësit e rregullave.
“Në muajin korrik dhe gusht kemi rritje të fluksit të automjeteve dhe ne qysh në fillim të korrikut kemi paraparë një plan dhe jemi duke operu me atë plan, parandalimi i aksidenteve, mirëpo ditëve të fundit Polica e Kosovës në tërësi, ka hartu një plan operativ dhe ka kriju një task forcë enkas për parandalimin e aksidenteve, ne jemi duke punuar në vazhdimësi me patrulla shtesë, jemi duke punu edhe me vetura zyrtare të cilat janë me targa civile, që t’i identifikojmë kundërvajtësit e rëndë që shkelin ligjin mbi rregullat e trafikut rrugor dhe t’i sanksionojmë ata që shkelin këto rregulla”, tha Brahim Shatrolli nga PK, për Televizionin Tema, transmeton Gazeta Shneta.
Edhe vozitësit thonë se kujdesi i shoferëve gjatë vozitjes po mungon.
Përveç rritjes së aksidenteve dhe patrullimit nga ana e Policisë, ngritje ka pasur edhe në shqiptimin e gjobave, ku në raport me vitin e kaluar është rreth 8 për qind më shumë.
Policia e Kosovës bënë apel tek shoferët që të kenë kujdes më të shtuar gjatë vozitjes. /Gazeta Shneta/