Moska njoftoi këtë të shtunë se kishte regjistruar vaksinën e saj të tretë kundër koronavirusit dhe premtoi ofrimin e saj në popullatën ruse deri në muajin mars.
Rusia ishte vendi i parë që regjistroi një vaksinë kundër Covid-19 në muajin gusht përpara provave klinike dhe vaksina ‘Sputnik V’ është autorizuar në më shumë se dymbëdhjetë vende të botës shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
“Sot ne vërejmë se një vaksinë e tretë, CoviVac, është regjistruar” tha kryeministri Mikhail Mishustin në një takim qeveritar të transmetuar në televizionin shtetëror.
“Dhe deri në mes të marsit, 120.000 dozat e para do të shpërndahen brenda qarkullimit civil” i tha ai kabinetit.
Vaksina e parë ishte përshëndetur me skepticizëm, deri kur efektiviteti i Sputnik V u konfirmua nga revista mjekësore Lancet këtë muaj.
Presidenti Vladimir Putin njoftoi në tetor se vendi kishte regjistruar vaksinën e tyre të dytë, ‘EpiVacCorona’, për të cilën zyrtarët shëndetësorë kishin thënë se do të hynte në prodhim masiv këtë muaj.
Ndërsa, kryeministri Mishustin tha të shtunën se Rusia kishte prodhuar 10 milion doza Sputnik dhe 80.000 doza të vaksinës EpiVacCorona të zhvilluar nga laboratori siberian Vektor.
Me futjen e vaksinës së tretë, kryeministri Mishustin tha se:
“Sot Rusia është i vetmi vend në të cilin ka tashmë tre vaksina për parandalimin e infeksionit Covid”.
Por të dhënat e vdekshmërisë të lëshuara së fundmi zbuluan se shkalla e vdekjes së pacientëve nga infeksioni Sars-CoV-2, në Rusi ishte ende një nga më të lartat në botë.
Vaksina e fundit pritet të përfundojë fazën finale të provës klinike me 3.000 pjesëmarrës në muajin mars dhe deri më tani është rekomanduar për njerëzit nën moshën 60 vjeç. /Gazeta Shneta/