Shumica e pacientëve frikësohen në ditën kur do të hyjnë në operacion. Por për t’ua hequr frikën, kujdesen anesteziologët. E pastaj janë pacientët që krijojnë situata komike
Profesioni i anesteziologut ka rëndësi të madhe në përgatitjen dhe përkujdesjen ndaj pacientit në operacion dhe pas.
Dr. Rexhep Gjyliqi, anesteziolog, e krahason punën e tij dhe kolegëve në këtë lëmi, me regjisorin e një filmi.
“Regjisori i një filmi është alfa dhe omega, por fatkeqësisht opinioni më shumë i njeh aktorët”, thotë Gjyliqi në një bisedë për Gazeta Shneta.
Ai shton se kirurgu e ka rëndësinë e vet por në aspektin lokal, ndërsa anesteziologu e ka përgjegjësinë për pacientin prej momentit kur pranohet në spital, përgatitet për operacion, përkujdeset për trurin e tij, mushkëritë, relaksimin e muskujve, etj, deri në zgjimin e plotë të pacientit.
“Ne e kemi autoritetin tonë si mjek në qarqet mjekësore, por fatkeqësisht opinioni ka pak njohuri për punën tonë. Madje nganjëherë nuk dinë me na shqiptu edhe titullin”, shprehet Dr. Gjyliqi.
Para futjes në operacion, pacientëve të cilët frikësohen, anesteziologët iu japin një lloj bari i cili ua heq frikën por nuk i vë në gjumë. Kjo sjellë shumë situata komike për mjekët dhe motrat medicinale.
“Pacientit nuk i kujtohen ndodhitë pas marrjes së këtij bari. Shumica e pacientëve flasin edhe gjëra që ndoshta në mënyrë të vetëdijshme nuk kishin me i fol. Aty krijohen edhe situata komike, por neve na vjen mirë kur pacienti qeshet sepse e shohim se është gjithçka në rregull”, thotë mjeku.
Ai shpjegon tutje se pacienti fillimisht futet në gjumë të thellë, pastaj i jepen barna të tjera. Gjyliqi thotë se në momentin kur ndodhë shkëputja nga realiteti, në po atë moment pacienti do të rikthehet pasi zgjohet pas operacionit.
Mjeku tregon se zgjimi është më i ngadalshëm, për dallim nga vënia e menjëhershme në gjumë.
Pas zgjimit mjekët i bëjnë shumë pyetje pacientit për ta kuptuar nëse është gjithçka në rregull me të.
“Primare është frymëmarrja dhe reflekset, pastaj presim kthimin e vetëdijes së plotë”, thotë anesteziologu.
Ai shton se disa pacientë që janë dembelë këndellen më vështirë pas operacionit.
Gjyliqi tregon momentin kur një paciente pasi kishte kuptuar se operacioni ka përfunduar me sukses, nga gëzimi kishte kërkuar t’i përqafonte të gjithë mjekët.
“Pacientët gjatë zgjimit flasin gjëra jo reale, munden me iu dhënë komplimente doktoreshave apo motrave, por sigurisht ato janë në suaza të punës. Sigurisht se në ato momente neve na bënë të ndihemi mirë sepse na jep shenj se është zgjuar dhe puna operative është kryer”, përfundon Dr. Rexhep Gjyliqi. /Gazeta Shneta/