Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku është duke raportuar para Komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë.
Sadiku ka deklaruar se më 18 mars ka marr vendimin për emërimin në pozitën e zv.ministrit, ndërsa më 19 mars ishte ftuar nga ish-ministri Arben Vitia, i cili sipas tij, gojarisht ia kishte kërkuar që ta vizitonte karantinën, shkruan Gazeta Shneta.
“Më 19 mars më ka ftuar ministri dhe më ka lutur që të shkoj në Qendër të Studentëve e cila ishte bërë karantinë. Unë i kam thënë se do të shkojë, por kjo ka qenë vetëm me gojë ndërsa me shkrim nuk kam asnjë vendim. Unë më 20 mars i kam raportuar ministrit me anë të një letre ku i kam rekomanduar ministrit që të emëroj një menaxher sepse karantina nuk mund të menaxhohej nga një zyrtar politik”, ka deklaruar Sadiku.
Ai ka thënë se kishte dhënë disa rekomandime dhe ndër të tjera, edhe për një psikologe për të ndihmuar personat që kanë nevojë.
“Kam propozuar ndihmë psikologjike dhe kemi pas vullnetar për këtë çështje. Më vonë është bërë një zyrë në Ministrinë e Shëndetësisë”, ka deklaruar ai.
Sadiku ka thënë se asnjëherë nuk ka marr raporte zyrtare në cilësinë e zv.ministrit për gjendjen në karantinë.
Për rastin e Agon Musliut i cili vdiq në karantinë, Sadiku ka thënë se për të ndjerin ka ndëgjuar për herë të parë më datën 3 maj në ora 15:55 minuta.
“Më 3 maj në ora 15:55 më ka thirr kryetari i Gjilanit dhe më ka njoftuar për rastin e Agon Musliut. Ai më ka treguar se familjarët i kanë njoftuar për shqetësimet që i ka Agoni dhe më ka kërkuar që të bëj zgjidhje. Unë i kam kërkuar të dhënat e personit dhe i kam kërkuar poashtu t’i dërgoj një email zyrtar Qendrës Operative. Në ora 3:57 minuta i ka dërguar të dhënat e Agon Musliut. Në ora 3:59 unë e kam thirr menaxherin Dr. Valdetin. Ia kam dërguar të dhënat e tij dhe i kam treguar se Gjilani do t’ia dërgoj edhe me email zyrtarisht. Në ora 4:06 më ka kthyer përgjigje menaxheri që do ta bëj zgjidhje sepse kanë kërkesa edhe për raste të tjera”, ka deklaruar Sadiku.
Kujtojmë se Agon Musliu ishte gjetur i vdekur rreth 20 minuta më vonë pasi dyshohet se ishte hedhur nga kati i pestë. /Gazeta Shneta/