Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar Dr. Basri Sejdiu ka njoftuar se ka angazhuar një ekip të mjekëve të Spitalit të Prizrenit për trajtimin e të lënduarve në zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.
“Duke parë nevojën për asistencë mjekësore në vendet e prekura nga tërmet në Shqipëri, kam marrë vendim që të dërgojmë ekipin mjekësor nga Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit. Ky ekip mjekësor në përbërje të tij do të ketë ekspertë mjekësor të profileve të ndryshme që do të dalin në ndihmë popullatës në situatën e krijuar pas tërmeteve”, ka shkruar Sejdiu.
Përveç dërgimit të mjekëve, edhe pacientë nga Shqipëria tanimë kanë nisur të marrin shërbime mjekësore në Spitalin e Prizrenit.
“Ekipi do të ketë mjetet e nevojshme për punë, përfshirë edhe barnat dhe materialin shpenzues që nevojitet në situata të tilla, të siguruara nga SHSKUK. Dy pacientë nga këto zona, kanë filluar të marrin shërbimet e dializës në kuadër të Spitalit të Prizrenit”, ka deklaruar Sejdiu. /Gazeta Shneta/