Ish-drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu dhe ish-shefi i Kardiologjisë Invazive Agron Qerimi, janë dënuar nga Komisioni Disiplinor me ndalim të ngritjes në detyrë për pesë vjet.
Ish-drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar Basri Sejdiu dhe ish-shefi i Kardiologjisë Invazive në QKUK, Agron Qerimi, janë përballë me masa disiplinore për shkak të shkeljes së rregullave për ruajtjen e informacionit, shkruan Gazeta Shneta.
Sejdiu dhe Qerimi janë dënuar me masën e Ndalimit të ngrijtes në detyrë, duke përfshirë edhe rritjen në shkallën e pagës, për periudhën 5 vjet.
Në dokumentet të cilat i ka siguruar Gazeta, thuhet se kjo masë ndaj Sejdiut dhe Qerimit janë marr pasi të dy kanë dhënë deklarata në një emision televiziv “pa u koordinuar me menaxhmentin dhe pa leje paraprake nga Zyra për Media, me ç’rast është diskredituar imazhi i institucionit dhe humbja e besimit te qytetarët”.
Një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2019 në kohën kur SHSKUK udhëhiqej nga Sejdiu. Ky i fundit kishte kërkuar të merren masa disiplinore ndaj një kardiologu i cili kishte dhënë deklarata në një televizion nacional duke ngritur dyshime për vdekjen e pacientëve në QKUK. /Gazeta Shneta/