Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Dr. Pleurat Sejdiu, ka sqaruar një deklaratë të tij në lidhje me një padi që OMK kishte ushtruar ndaj Ministrisë së Shëndetësisë në mars.
“Nuk është dezinformat, por është keqinterpretim i qëndrimit tonë dhe deklaratës tonë, sepse është shumë e vërtet që me 3 mars neve i kemi bërë padi ministrisë së Shëndetësisë për mospagesën e shtesave për Covid për mbi 400 mjekë duke u bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe kjo nuk ka të bëjë me Arben Vitinë aspak sepse kemi parë tituj dhe nuk është çështja që tash me mbrojt njërin ministër apo tjetrin, por e vërteta është se për muaj të tërë duke filluar prej janarit ne në vazhdimësi ju kemi drejtuar ish-ministrit Zemaj që çështja e pagesave të mjekëve që punojnë bazuar në vendimin e qeverisë të bëhet në rregull dhe të paguhen borxhet që i kanë një numër i mjekëve, pas dështimit në përgjegjës të këtyre kërkesave atëherë ky grup i mjekëve prej 400 e ka autorizuar odën që të fillojë procedurën gjyqësore për marrjen e këtyre pagesave”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka shtuar se në rast MSh-ja merr përsipër shqyrtimin e pagesave atëherë Oda e Mjekëve do ta tërheq padinë.
“Ne nuk kemi pasur asnjë përgjigje prej ish-ministrit dhe me ardhjen e ministrit Vitia neve ju kemi drejtuar duke kërkuar që të shikohet mundësia që këto pagesa të verifikohen dhe të bëhem ashtu siç është vendimi i qeverisë dhe që ti ikim procedurave gjyqësore, pra që ministria të mos pësojë për shkak të dëmeve që mund të sjellë kjo padi dhe ne jemi duke pritur një përgjigje dhe nëse Ministria e Shëndetësisë merr përsipër shqyrtimin e këtyre pagesave atëherë Oda e Mjekëve do të tërheq padinë dhe do të konsideron se është përmbushë kërkesa e mjekëve”.
Ai ka folur edhe për përgatitjen e një padie tjetër, por në këtë rast për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), siç ka pohuar Sejdiu kjo padi vjen për shkak të mospagesës së kujdestarisë së 40 mjekëve.
“Në këtë drejtim në përgatitje është edhe padia e dytë për të cilën është informuar edhe MSh-ja, por kjo padi shkon drejt ShSKUK-së dhe organet janë të njoftuara për këtë ku mbi 40 mjekë nuk ju kanë paguar kujdestaritë që kujdestaritë në bazë të ligjit të punës duhet t’i paguar pasi që këta mjekë janë me kërkesë dhe prandaj duhet të paguhen, dhe ne jemi duke pritur prej QKUK-së a do ti paguan këto borxhe nëse jo atëherë do të vazhdojmë me padinë”. /EO