Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Dr. Pleurat Sejdiu mbrëmë ka qenë mysafir në emisionin Oksigjen me Besim Dinën. Sejdiu ka folur për përvojën e tij sa ishte Sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, për pjesëmarrjen e tij në luftën e UÇK-së, për profesionin e tij të ortopedit si dhe për Odën e Mjekëve të cilën e udhëheq tash e dy vite.
Sejdiu ndër të tjera ka folur për mjekët që u lejuan nga Qeveria e Kosovës që të hyjnë në territorin e Kosovës nga Serbia, gjatë kohës së pandemisë. Qindra persona kanë hyrë nga Serbia në vendin tonë dhe nga Ministria e Shëndetësisë janë arsyetuar se po vijnë për të ‘monitoruar situatën dhe trajtimin e pacientëve serbë’. Por Sejdiu ka thënë se shumica prej tyre dolën të jenë agjentë të shërbimit informativ serb.
“Një pjesë e tyre nuk ishin mjek hiq dhe dyshohet se një pjesë e tyre dhe doli se janë të BIA-së. Nuk kishim nevojë sepse kemi 700 mjekë pa punë. Në fillim ju kemi frikësu pak virusit sepse nuk e dinim se si reagon. Por mënyra se si janë ardh të imponuar sepse kam informata se kanë reaguar edhe ambasadat ndërkombëtare pse po i ndalni. Është dashur të lejohen për bashkëpunim në kohë të pandemisë, por ka pas nevojë për epidemiologë, infektologë, dhe internista, por jo për stomatolog, jo për teknik, jo për shofera e bodiguarda dhe kanë hyrë me qindra. Ata kanë ardhë me monitorua?!”, është shprehur Sejdiu.
Ai ka thënë se OMK ka statistika të sakta të mjekëve serbë që punojnë në Kosovë, përveç Mitrovicës së veriut. “Ne si odë kemi statistika të sakta dhe ka mjekë serbë që e marrin rrogën nga shteti i Kosovës po i injoron ligjet. Deri tash janë toleruar por OMK nuk i ka toleruar. Ne llogarisim se janë rreth 50 mjekë serbë këndej urës së Ibrit dhe në OMK janë të licencuar 23 prej tyre. Ata e kanë parë realitetin e ri”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai është pyetur edhe nëse do t’i pranonte testet për Covid nga Serbia për çka është përgjigjur “Sikur të kisha qenë ministër do t’i pranoja por përmes të gjitha procedurave”.
Në anën tjetër Sejdiu ka folur edhe për mjekët shqiptarë për të cilët ka thënë se ka shumë mjekë të mirë por mungon mbrojtja nga shtetit. Sejdiu ka thënë se mjekët shqiptar të cilët e kanë kryer fakultetin në Kosovë dhe kanë shkuar jashtë, atje po arrijnë majat e profesionit për shkak të kushteve më të mira që i kanë.
Sejdiu ndërkaq ka folur edhe për masat që OMK ka marr ndaj disa mjekëve të cilët i kanë shkelur ligjet në Kosovë.
“Jemi duke kërkuar prej MSH-së që të verifikohen disa thirrje që janë marr. Janë prezantuar thirrje specialistike dhe prokurorët tanë dhe gjyqi i nderit janë duke i hetuar. Sejdiu ka deklaruar se për këto çështje organet e OMK-së kanë shpallur fajtor dhe kanë marr masa edhe ndaj menaxherëve të nivelit të lartë të institucioneve shëndetësore”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka theksuar se OMK do të bëj mbikëqyrjen profesionale të specializimeve sepse prej pas luftës ka qenë sistemi 5 vjet specializim, por tani e tutje do të jetë së paku 5 vjet dhe mund të zgjasë deri në 8 vjet nëse nuk kryhen të gjitha procedurat me kohë.
Ndiqeni intervistën e tij të plotë. /Gazeta Shneta/