Sekreti i rinisë nuk është vetëm te gjenet

2017-03-06 në ora 11:41

Një shprehje e vjetër thotë: nëse do të shohësh si do të plaket një vajzë, shikoji të ëmën.

Por sekreti i rinisë duket se nuk qëndron vetëm tek genet. Shkencëtarët tani thonë se një e treta e femrave që duken më të reja se mosha e tyre, ia detyrojnë këtë më së shumti mënyrës së jetesës.

Një studim i fundit del në përfundimin se 8 orë gjumë, marrja e vitaminave dhe aktiviteti i rregullt fizik mjaftojnë që të heqin peshën e viteve nga pamja e jashtme. Femrat më pak të organizuara, të cilat nuk e hidratojnë lëkurën e nuk kujdesen për ta mbrojtur nga dielli, i dëmtojnë shumë shanset e një plakejeje të bukur.

Hulumtuesit e universitetit të Harvardit kanë vënë re se në grupin e disa vajzave dhe grave të moshave nga 20 deri në 74 vjeç, që dukeshin më të reja, dy të tretat e kishin përbërësin gjenetik, i cili ndikon tek lëkura e mirë, ndërsa pjesës tjetër i mungonte.

Ama ato sërish dukeshin mirë. Atëherë u zbulua se këto femra flinin mjaftueshëm, çka rriste me 10% shanset për t’u dukur më e re. Kjo mundësi shtohej me 18% nga marrja e vitaminave dhe me 14% të tjera nga aktiviteti i rregullt fizik.

Padyshim, nuk përbën me risi fakti që si dielli, ashtu dhe duhani janë armiq të lëkurës. Megjithatë, pavarësisht ndotjes gratë në qytete vazhdojnë të konsierohen më të favorizuara se ato që jetojnë në fshat ku kalojnë një pjesë të madhe të kohës jashtë dhe ekspozohen më tepër ndaj rrezeve të dëmshme ultravioletë.