Pas reagimit të një studenti në Senatin e Universitetit të Prishtinës për rastin e Dr. Jeta Kelmendit për asistent në Fakultetin e Mjekësisë, Senati ka marr vendim që rasti i saj të rikthehet.
Kelmendi ka qenë në garë për asistente në lëndën Ortodonci Paraklinike së bashku me Nora Aliun. Kjo e fundit kishte marr recensione pozitive nga dy anëtarët e Komisionit Prof. Ass. Albena Reshitaj dhe Prof. Dr. Blerim Kamberi.
Ndërkaq Kryetari i Komisionit Prof. Dr. Milaim Sejdini ia ka dhënë recensionin pozitiv Dr. Jeta Kelmendit. Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë e kishte rekomanduar Aliun për asistente, shkruan Gazeta Shneta.
Por rasti i Kelmendit dhe Aliu u hodh në diskutim në Senatin e UP-së, për çka reagoi Bledian Geci, kryetar i Parlamentit të Studentëve. Ai tha se Kelmendi ka doktoraturë në Universitetin e Zagrebit dhe ka shumë më tepër publikime shkencore.
“Nora Aliu është Phd dhe e ka paraqitur doktoraturën në vitin 2013, shtatë vite kanë kaluar dhe me statut nuk ka të drejtë më me marr doktoraturë. Ndërsa Jeta Kelmendi e ka notën 9.4, është doktor shkence në Zagreb, ka bërë punë 6 vjeçare dhe ka punime shkencore dyfish më shumë. Nuk kisha thënë me u ngut këtu, do të doja me analizu situatën, pse ka kaluar kjo Nora Aliu mundet me pas konflikt interesi”, ka deklaruar Geci.
Pas këtij reagimi të Gecit, Rektori i UP-së Prof. Dr. Marjan Dema kërkoi që rasti të rikthehet për çka edhe mori miratimin e Senatit.
Dekania e Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Syzana Manxhuka-Kerliu nuk ka folur fare për këtë rast. /Gazeta Shneta/