Sërish mungesë e fentanylit në QKUK, rrezikohet mbyllja e të gjitha sallave

2018-06-01 në ora 13:17

Mungesa e medikamentit fentanyl po rrezikon mbylljen e të gjitha sallave të operacionit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gazeta Shneta merr vesh se stoku i Barnatores Qendrore është zbrazur nga fentanyli dhe kërkesat e klinikave janë refuzuar deri në një furnizim nga SHSKUK ose Ministria e Shëndetësisë. MSH ende nuk e ka kontraktuar furnitorin e ri për këtë medikament, ndërsa kjo po i kushton SHSKUK-së me blerje emergjente për të funksionalizuar sallat e operacionit.

Por përveç sallave, në rrezik janë edhe pacientët që janë të shtrirë në Mjekimin Qëndror Intensiv, si dhe rastet urgjente në Klinikën Emergjente. Kjo për shkakun se familjarët me vështirësi e gjejnë këtë medikament në barnatore privat, e sidomos nëse një i tillë nevojitet në orët e natës.

Mungesën e fentanylit e ka mohuar Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së. Megjithatë edhe konfirmimi se ka sasi të këtij medikamenti, vlen vetëm për vikend. Nga e hëna SHSKUK do të detyrohet të bëj blerje emergjente.

“Në bazë të konfirmimit nga Barnatorja Qendrore dhe drejtori i Klinikës së Anestezionit, QKUK është e furnizuar me fentanyl në sasi mjaftuara për vikend. Ndërkohë Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është duke lidhur kontratat për furnizim me barna dhe material shpenzues  dhe presim të furnizohemi në sasi të tjera dhe nuk do të ketë probleme!”, thuhet në një përgjigje për Gazetën.

Para pak ditësh një sallë operacioni në Klinikën e Urologjisë është mbyllur për shkak të mungesës së fentanylit. Salla u kthyer në funksion pasi furnizimi u bë nga vet QKUK. Ky medikament mundëson që pacienti të mos ndjej dhimbje gjatë operacionit. /Gazeta Shneta/