Drejtori gjeneral i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus ka deklaruar se shqetësimi kryesor aktualisht është pjesa tjetër e botës, jo Kina, pas përhapjes së koronavirusit Covid-19 në 44 vende të botës ku janë shënuar 54 vdekje.
“Në 24 orët e fundit shtatë shtete të reja në botë janë prekur nga koronavirusi për herë të parë. Tani jemi në situatë kur të gjitha shtetet duhet të veprojnë për ta izoluar virusin. “Nëse veproni tani, ju mund ta parandaloni virusin, mund të parandaloni njerëzit të sëmuren, mund të shpëtoni jetë”, ka deklaruar Adhanom, transmeton Gazeta Shneta.
“Të gjitha shtetet duhet të jenë të gatshme të përballen me rastin e parë dhe të jenë të përgatitura për çfarëdo skenari. Ky virus nuk respekton kufinjtë dhe nuk bën dallimin ndërmjet vendeve. Qëllimi është të jeni të përgatitur për ta trajtuar atë. Çdo shtet duhet të jetë i gatshëm të izolojë rastet, të ketë kujdes shëndetësor dhe të mbrojë qytetarët që të mos infektohen”, ka deklaruar tutje shefi i OBSH-së.
“Kjo nuk është koha e frikës, por koha e veprimit për të parandaluar infektimin e qytetarëve dhe vdekjen e tyre”, ka bërë thirrje Adhanom.
Kujtojmë se koronavirusi deri më tani ka prekur mbi 80 mijë njerëz në gjithë botën, ndërsa ka marr mbi 2800 jetë. Në rajon afër Kosovës deri më tani është raportuar një rast në Maqedoni, Kroaci dhe Itali. /Gazeta Shneta/