Shëndetësorët kërcënojnë me jetë, nëse nuk iu rriten rrogat

2017-03-29 në ora 08:07

Dhjetëra punëtorë shëndetësorë janë mbledhur sot në oborrin e QKUK-së për të protestuar për ngritje të pagave dhe përmirësim të kushteve të punës.

Protesta është organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe është mbajtur në tri nivelet, primar, sekondar dhe terciar, shkruan Gazeta Shneta.

“Jo të na rriten rrogat, por të na dyfishohen”, deklaron Xhemajl Selmani, kreu i Sindikatës së QKUK-së, i cili udhëhoqi protestën e sotme.

Selmani konsideron se në kushtet në të cilat punojnë punëtorët shëndetësorë, nuk mjafton vetëm rritja e rrogës. Ai thotë se në mungesë të mjeteve, shpesh herë janë të detyruar të improvizojnë dhe kjo ka bërë që sipas tij, t’u bien në qafë herë me të drejtë e herë pa të drejtë.

Me anë të një altoparlanti, Selmani ngriti zërin duke iu drejtuar kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, për rritje të pagave.

“Kryeministri ka premtuar rritje pagash sipas rritjes ekonomike. Për dy vite radhazi, duke llogaritur edhe inflacionin, kemi vlerësuar se rritja duhet të bëhet prej 15 për qind. Shpresojmë që Qeveria do të bëhet përgjegjëse dhe të mos na detyrojë të futemi në manifestime sindikaliste radikale”, ka deklaruar Selmani.

protesta

 

 

Ai madje po kërcënon se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, veprimet do të radikalizohen.

“Kërkesat e sindikalistëve janë që të radikalizohen protestat dhe të shkojmë në modelin e grevave të Zagrebit ku do të rrezikoheshin edhe jetët dhe pacientët”, ka thënë ai.

Protestës së sindikalistëve i janë bashkuar edhe specialistët me kërkesat e tyre. Ata po konsiderojnë se konkursi i shpallur nga Ministria e Shëndetësisë është bërë me kritere të cilat nuk janë pranuar nga klinikat e SHSKUK-së.

“MSH-ja dhe SHSKUK janë tallur me klinikat me këtë konkurs”, ka thënë Selmani.

Rreth 250 specialistë po kërkojnë të angazhohen me kontratë sipas një marrëveshje të vitit të kaluar. /Gazeta Shneta/