Shkenca hedh poshtë shprehjen ‘’qysh jem rritë na’’

2018-10-11 në ora 14:03

Mënyra se si e ushqeni foshnjën tuaj është determinuese për shëndetin e tij të mëtutjeshëm.

Një i sapolindur duhet të ushqehet me qumështin e nënës së tij. Në ditët e para të jetës, fëmija merr antitrupat nga kulloshtra e cila është e dizajnuar që të transmetojë elementet adekuate për ngritjen e imunitetit tek fëmijët.

Ashtu si çdo vend në botë, edhe në vendin tonë vlen slogani “breast is best” apo në gjuhën shqipe: qumështi i gjirit është më i miri,  por në rastet  kur gjidhënia është e pamundur i vetmi opsion i pranuar është qumështi i formulës.

Sipas UNICEF-it, në Kosovë vetëm 40 përqind e fëmijëve ushqehen me anë të qumështit të gjirit. 60 përqind e bebeve ushqehen me qumësht formulë apo me  qumësht të lopës.

“E qysh jemi rrit na” është pyetja që shumë nëna ia bëjnë mamisë Razije Musa, kur ajo u thotë që në vitin e parë të jetës të mos u japin fëmijëve qumësht të lopës.

E indinjuar me këtë përgjigje, mamia e cila ka 45 vjet që ushtron profesionin e mamisë thotë se në të kaluarën, në rastet kur ushqyerja me gji ka qenë e pamundur, nënat kanë përdorur qumështin e lopës të tëholluar me ujë.

E atëherë kur bebi ka pasur kapsllëk, qumështin e kanë përzier edhe me sheqer. Sipas saj, kjo ka qenë vetëm gjindshmëri e kohës dhe e rrethanave, por assesi nuk duhet të praktikohet në ditët e sotme./Kallxo.com/