Zenel Kuqi, ish menaxher i Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, tani zyrtar i Prokurimit në SHSKUK, akuzohej në dy pika të aktakuzës për dëmtim të buxhetit të shtetit afër 700 mijë euro
Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur të pafajshëm ish-sekretarin e përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, si dhe disa zyrtarë të tjerë të këtij dikasteri, pasi akuzoheshin për dëmtim të buxhetit të shtetit për qindra mijëra euro.
Ilir Tolaj, Bekim Fusha dhe Zenel Kuqi akuzoheshin se gjatë periudhës 23. 5.2011 deri 31.12.2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k. me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.
Këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro. Në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës. Për këtë Prokuroria i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Që të tre janë shpallur të pafajshëm në këtë pikë të aktakuzës. Zenel Kuqi, i cili tani është zyrtar i Prokurimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, është shpallur i pafajshëm edhe në pikën e dytë të aktakuzës ku akuzohej për dallavere në dy tenderë duke përfituar para nga tri kompani, shkruan Gazeta Shneta.
Ai akuzohej se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove.
Nga aktakuza janë liruar edhe të akuzuarit në pikën e tretë. Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin se gjatë periudhës kohore 23.05.2011 deri 31.12.2011, Valentina Haxhijaj në cilësinë e kryetares së Komisionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Kontratës me Kompaninë “KMI”, sh.p.k. si dhe Remzije Thaqi e Florije Tahiri në cilësinë e anëtares, në bashkëveprim duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar më qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI”, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i sjellë kompanisë dobi materiale në shumën rreth 400.000 eurove. /kallxo.com