Shqiptari që humbi gruan dhe foshnjën në spitalin e Zvicrës (Foto)

2017-03-27 në ora 14:25

Për dy ditë babai shqiptar humbi foshnjën dhe gruan vitin e kaluar. Ai është tani një burrë i thyer nga dhembja dhe kishte thënë se do t’i drejtohet drejtësisë për vrasje nga pakujdesia.

“Është dramatike. Shpeshherë vijnë nëna me foshnja të vdekura në bark, por në tridhjetë vjetët që unë veproj këtu kurrë nuk kam përjetuar një situatë, ku pas pak vdes edhe nëna”, shpjegon një punonjës i spitalit Chuv për gazetën frankofone 24Heures.

“Edhe prifti, i cili ishte në detyrë, këtë fundjavë tregohet shumë i prekur. E pranuar të enjten në spitalin e CHUV-it, Rute De Sousa Hadergjonaj, estetiste, 32-vjeçare, vdiq 48 orë më vonë. Para saj, Lizea vdiq në barkun e së ëmës.

Tragjedia ka ndodhur javën e kaluar. Sapo hyri në spitalin CHUV të enjten e kaluar, zonja Rute De Sousa-Hadergjonaj ishte gati për të lindur në maternitet. Çifti do të duhej të priste edhe dy javë lindjen e vajzës së tyre, të cilën kishin vendosur ta quanin Lizea. Fatkeqësisht, me të hyrë në spital, babai Zymer Hadergjonaj humbi në fillim vajzën dhe 48 orë më vonë edhe gruan.

Dy hetime janë duke u zhvilluar, njëra prej të cilave nga Ministria Publike, për vrasje nga pakujdesia. Në sektorin e mbikëqyrjes intensive, gypi i vendosur në fytin e të ndjerës, i cili i mundësonte frymëmarrjen, ishte zhvendosur pa dhënë asnjë shenjë alarmi.

“Ajo ndoshta do të kishte vdekur gjithsesi për shkak të baktereve”, thekson Jean-Blaise Wasserfallen, drejtor mjekësor i institucionit, pasi që dëmet e organeve tashmë ishin tepër të mëdha”. Shërbimi mjekësor ka nisur gjithashtu një hetim të brendshëm, bënë të ditur albinfo.ch.

Zymer Hadergjonaj, burri i të ndjerës, tani ndihet i thyer nga dhimbja: “Unë kam humbur çdo gjë. As nuk mund të kthehem në banesën tonë në Prilly”. Ai po ashtu do t’i drejtohet drejtësisë për vrasje nga pakujdesia.

Vëllai i zonjës Rute ka reaguar në një mënyrë tjetër. Ai sulmoi emergjencën me hekur të rëndë, duke shkatërruar pajisjet në vend. Spitali i CHUV-it ka premtuar se do t’i komunikojë “të gjitha rezultatet e hulumtimit, sapo të jenë të gatshme”.