Menaxhmenti i SHSKUK-së në planin e punës për vitin 2020 kishte paraparë punësim të recepsionistëve, por jo edhe të mjekëve. Kështu ka deklaruar anëtarja e Bordit të SHSKUK-së Dr. Agreta Gecaj-Gashi.
Ajo ka thënë se në SHSKUK në sistemin e pagave janë të regjistruar 7297 punëtorë, prej të cilëve 22 për qind ose 1,612 janë mjekë, 19 për qind ose 1,364 janë staf administrativ dhe 59 për qind ose 4 mijë e 321 janë infermierë, shkruan Gazeta Shneta.
“Sa i përket stafit tjetër jo-mjekësor pjesa më e madhe janë staf administrativ, pasi punëtorët e sigurimit dhe të higjienës nuk janë të përfshirë këtu, sepse këto dy sektorë janë të privatizuara. Për ne si Bord i ri ky raport në mes mjekëve specialistë 22 për qind dhe stafit jo mjekësor 19 për qind është paradoksal dhe mjaft shqetësues”, ka deklaruar Gecaj-Gashi.
Ajo ka bërë të ditur tutje se menaxhmenti i SHSKUK për vitin 2020 kishte planifikuar të punësonte recepsionistë, por jo edhe mjekë, ndonëse për këta të fundit kishte kërkesa për punësimin e 194 mjekëvve dhe 28 stomatologëve.
“Në planin e punës për vitin 2020 që na është dërguar nga drejtori i përgjithshëm, kanë qenë të paraparë të punësohen infermierë shtesë dhe recepsionistë, por jo edhe mjekë”, ka deklaruar Gecaj-Gashi.
Ajo ka thënë se ky numër i stafit është kërkuar me arsyetimin se funksionalizimit të ndërtesave të reja në disa spitale sikurse ai në Ferizaj, Podujevë, Kirurgji Pediatrike, Fiziatri, etj.
“Ne si Bord i SHSKUK-së jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë në gjetjen e një zgjidhje për punësimin e mjekëve të papunë, por jo në bazë të ndërtesave, por në bazë të nevojave aktuale. Të kryesh 6 vite fakultet dhe 5 vite specializim dhe në fund të mbetesh pa punë, është vërtetë denigruese dhe e papranueshme”, ka deklaruar Gecaj-Gashi. /Gazeta Shneta/