SHSKUK’ja ka konfirmuar lajmin e therrjes me thikë të një infermieri të Urologjisë sot.
Përmes një njoftimi për media, SHSKUK bën thirrje për ndaljen e sulmeve ndaj stafit mjekësor, shkruan Gazeta Shneta.
Njoftimi i plotë:
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, është njoftuar se sot në vendin e tij të punës është sulmuar me thikë, në Klinikën e Urologjisë, infermieri F.B.
Sulmi ka ndodhur në Klinikën e Urologjisë, pas orë 14.00, derisa infermieri po kryente punën e tij.
Infermieri pritet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik. Për rastin është informuar edhe Policia e Kosovës.
ShSKUK shpreh indinjatën e thellë me këtë rast dhe dënon ashpër sulmet ndaj mantelbardhëve të cilat janë të pa pranueshme.
Ofendimet, dhuna, e deri tek sulmet fizike, të tilla si ky i ditës së sotme ndaj mantelbardhëve ka pasur në vazhdimësi, andaj ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë punën e mantelbardhëve, ndërsa sulmuesit e tillë të marrin pergjigjen e merituar nga organet kompetente.
Është koha e fundit që sulmet e tilla të ndalen njëherë dhe përgjithmonë ndaj punëtorëve shëndetësorë”.