Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka rënë në hall për gjetjen e mjekëve specialistë për t’i punësuar në spitalet e përgjithshme. Në një komunikatë për media, SHSKUK thotë se për konkursin e fundit nuk ka interesim të mjaftueshëm të specialistëve për punësim në Spitalet e Përgjithshme, shkruan Gazeta Shneta.
“Në konkursin publik të shpallur nga ana e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës(SHSKUK) për vende të lira pune, për 22 profile të ndryshme mjekësore, ku u kërkuan 28 specialistë, në kuadër të Spitaleve të Përgjithshme, nuk ka pasur interesim të mjaftueshëm, edhe pse ekzistojnë vendet e lira të punës të aprovuara në buxhetin e vitit 2018”.
Sipas njoftimit, në këtë konkurs janë kërkuar 1 specialist i ORL-së dhe radiologjisë për në Spitalin e Gjakovës, por për asnjërën nga këto dy pozita nuk ka pasur kandidat. Kandidat nuk ka pasur as për dy vende të lira pune për kirurg të përgjithshëm në Spitalin e Ferizajt. Poashtu specialistët e neurologjisë, ORL-së dhe infektivës nuk kanë konkurruar as për pozitat e lira në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.
Për këtë arsye SHSKUK gjatë ditës së sotme ka publikuar një thirrje për të gjithë specialistët e pa punë, për të identifikuar numrin e tyre si dhe mundësinë e angazhimit dhe punësimit në këtë institucion.
“Kjo ftesë bëhet në vazhdën e angazhimeve për përmirësim ë shërbimeve shëndetësore dhe angazhimin e specialistëve që janë të pa punë”, thuhet në njoftim. Paraqitja duhet bëhet tek Zyra e personelit në SHSKUK, tek zyrtarja përgjegjëse, znj. Havushe Rexhepi.
Kujtojmë se konkursi i fundit në SHSKUK është përcjellë me shumë akuza për parregullësi, nepotizëm e ryshfet për të siguruar një vend pune. /Gazeta Shneta/