Shërbimi i Tomografisë së Kompjuterizuar apo CT-së nuk është funksional në Spitalin Regjional “Sheik Zayed” në Vushtrri tash e më tepër se pesë muaj për shkak të defekteve teknike.
Si pasojë e kësaj pacientët të cilët kanë nevojë për këtë shërbim detyrohen të udhëtojnë për në spitalin e Mitrovicës së Jugut, në Klinikën e Radiologjisë në QKUK apo në ndonjë spital privat.
Shefi i personelit në këtë spital, Abdullah Kliniku, ka konfirmuar se CT ka defekt teknik tash e më tepër se pesë muaj dhe se rregullimi i saj ka një kosto të lartë e të papërballueshme për buxhetin e spitalit.
Për një gjë të tillë ai thotë se kanë kërkuar mbështetje edhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe se deri më tani nuk ka pasur zgjidhje nga ana e tyre.
“Për sa i përket defektit të CT-së, jemi interesuar dhe kemi konstatuar se shuma e mjeteve financiare për servisimin dhe mirëmbajtjen e saj është shumë e lartë, rrjedhimisht e pa përballueshme për buxhetin e Spitalit. Për këtë arsye kemi kërkuar mbështetje nga SHSKUK. Kërkesën të cilën e kemi drejtuar në SHSKUK përfshinë mbështetjen financiare dhe procedurale. Për këtë jemi në pritje të zhvillimit të procedurave nga organet përkatëse në SHSKUK”, sqaron ai për Gazetën Shneta.
Në repartin e Radiologjisë janë të angazhuar gjashtë specialist të Radiologjisë, Klinaku, thotë se janë të mjaftueshëm për momentin duke pasur parasysh kuadrot e spitalit.
“Përmes gjashtë specialistëve dhe stafit teknik kemi arritur për herë të parë të funksionalizojmë shërbimin e Radiologjisë 24 orësh, pra kemi nisur me zbatimin e kujdestarive”, tregon ai.
Pacientët e rajonit të Vushtrrisë mund të marrin shërbime radiologjike të radiografisë, mamografisë dhe ultrasonografisë.
Gazeta tash e disa ditë ka adresuar pyetje në ShSKUK mirëpo nuk ka pranuar përgjigje nga ana e tyre./Gazeta Shneta/