Shërbimi Spitalor Klinik Universitar po planifikon ta privatizojë shërbimin e sterilizimit dhe dializës.
Kjo pritet të ndodh pas përfundimit të studimit të fizibilitetit, i cili po kryhet nga një konzorcium i tre kompanive, dy nga Shqipëria dhe një nga Kosova. Ky studim po i kushton QKUK-së afër 100 mijë eurosh, shkruan Gazeta Shneta.
Zyrtarët e QKUK-së e kanë konfirmuar se janë duke planifikuar t’i privatizojnë këto dy shërbime.
“Zyra për informim ju njofton se SHSKUK, ka iniciuar tender për studim fizibiliteti për të shqyrtuar përparësitë eventuale të inicimit të procesit të bashkëpunimit publiko-privat për shërbimin e hemodializës dhe sterilizimit. Shumicën e pyetjeve tuaja, duke përfshirë edhe vlerësimin e investimeve dhe ligjshmërinë, presim t’i qartësoj studimi. Për informimin tuaj, tenderi për fizibilitet për këto dy shërbime ka qenë i hapur dhe është publikuar dy herë, pasi që herën e parë nuk ka pasur kompani të interesuara. Rezultati i studimit nuk mund të prejudikohet para se studimi të përfundojë. SHSKUK, shpreson se operatori i angazhuar në këtë drejtim do të kryej punë profesionale për t’i mundësuar Ministrisë së Shëndetësisë, Bordit Drejtues dhe menaxhmentit të SHSKUK, si iniciator të këtij procesi, planifikimin afatgjatë të këtyre dy shërbimeve”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Konzorciumi që po e kryen fizibilitetin përbëhet nga kompanitë ‘Deloitte Kosova’, ‘Deloitte Albania’ dhe ‘Health Protection International’. Kjo e fundit është në pronësinë e Klodian Rrjepaj, ish-zv.ministër i shëndetësisë në Shqipëri, i cili ka qenë i dyshuar i Prokurorisë shqiptare për keqpërdorimin e pozitës gjatë dhënies me koncesion të sterilizimit dhe dializës në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës.
Ndërsa zyrtari i QKUK-së Dardan Parduzi, shef i Kontraktimit të Shërbimeve Shëndetësore, ka punuar si analist financiar në kompaninë ‘Deloitte Kosova’. /Gazeta Shneta/