Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka reaguar ndaj deklaratës së ish-drejtorit të Spitalit të Vushtrrisë Hajrullah Saraqi, i cili ka shkruar në rrjetet sociale se është shkarkuar për shkak se nuk ishte pjesë e PDK-së.
SHSKUK e ka mohuar këtë duke deklaruar se Saraqi është shkarkuar për shkak të performancës së tij të dobët, e jo për bindje politike, transmeton Gazeta Shneta.
Drejtoria e SHSKUK po konsideron se nuk duhet të politizohen institucionet, sidomos pas zgjedhjeve të fundit që sipas SHSKUK-së kanë ndodhur ndryshime pozitive. Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ka humbur Partia Demokratike e Kosovës, e cila është akuzuar disa herë për punësimin e zyrtarëve të saj në administratën e QKUK-së.
Reagimi i plotë nga SHSKUK:
Reagim ndaj artikullit të gazetës “Shneta” me titull, “Saraqi vazhdon ta kundërshtojë Sejdiun: Më shkarkoi sepse nuk isha i PDK-së”
Drejtoria e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës reagon ndaj deklaratës së dr. Hajrullah Saraqi, e cila nuk paraqet të vërtetën dhe dezinformon publikun.
Informojmë opinionin se dr. Saraqi, nuk ka pasur kontratë të rregullt të punës si drejtor i Spitalit të Vushtrrisë, ajo i kishte skaduar për më shumë se 2 vjet dhe i njëjti ishte vetëm ushtrues detyre i drejtorit të spitalit.
Ai është shkarkuar nga pozita e UD. Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri për shkak të performancës së dobët, e asesi për shkak të bindjeve apo përkatësisë politike.
Pra, i njëjti ka keqinformuar opinionin ngase performanca e punës së tij ishte vlerësuar si negative dhe drejtori i përgjithshëm kishte vendosur javë më parë të shkarkoi atë dhe të caktoi një ud. drejtor të spitalit deri në procedim të konkursit të rregullt.
Është e pa pranueshme tendenca që të politizohen institucionet shëndetësore në këtë kohë të pas zgjedhjeve, edhe pse ndryshimet për qëllime pozitive ndodhën javë më parë.