Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka reaguar pas mbylljes së zyrës së infermierëve në QKUK dhe largimit të dy zyrtareve nga kjo zyrë.
Gazeta Shneta ka raportuar dje se është shkarkuar Lirije Beqiri, ish-shefe e kësaj zyre në QKUK. Por SHSKUK në reagim ka deklaruar se kjo zyrë ka qenë jo ligjore dhe se Beqiri nuk ka pasur kontratë pune në këtë zyrë.
“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, demanton shkrimet në medie dhe reagimet në lidhje me siç thuhet për “shuarjen e Zyrës së Infermierisë në QKUK/ShSKUK”. Menaxhmenti aktual i ShSKUK-së, duke demantuar këto pretendime, sqaron se nuk ka shuar asnjë Zyrë apo Shërbim, por ka trashëguar një Zyrë të tillë, pa kontratë pune ndër vite, pra kjo Zyrë de fakto dhe de juro ka qenë jo ligjore”, thuhet në reagimin e ShSKUK-së.
Sipas tyre, udhëheqësja e kësaj zyre, Lirije Beqiri, ka gjenë pa kontratë pune “ dhe nuk bëhet fjalë për shkëputje të kontratës së saj, por, për mungesë së kontratës së punës për Shërbimin e Infermierisë”
Zyra e infermierisë nuk është e përfshirë në Organogramin e QKUK- ShSKUK.
Veprim selektiv, përjashtues dhe diskriminues po e konsiderojnë mbylljen e zyrës për infermieri nga Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor në QKUK.
Përmes një njoftimi, Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor në QKUK kanë bërë të ditur se pas këtij vendimi kanë mbajtur një takim joformal me Kryeinfermierët e Klinikave të Qendrës Klinike Universitare./Gazeta Shneta/