Shtatë persona vdiqën dhe mbi 900 u lënduan në aksidente gjatë janarit

2018-02-06 në ora 11:06

Viti 2018 ka filluar me numër më të madh të aksidenteve që kanë përfunduar me fatalitet. Krahasuar me janarin e vitit të kaluar numri i të vdekurve nga aksidentet është dyfishuar.

Vetëm gjatë janarit në Kosovë kanë vdekur 7 persona, janë lënduar 972 të tjerë, raporton Gazeta Express.

Statistikat e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se gjatë janarit të vitit 2017 në komunikacion humbën jetën 3 persona, ndërsa gjatë janarit 2018 humbën jetën 7 persona.

Në total ndodhën 1278 aksidente nga të cilat u lënduan 972 persona. Ndërsa vitin e kaluar lëndime kanë pësuar 831 persona.

Gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës ka shqiptuar 30397 gjoba për shoferët që nuk kanë respektuar rregullat e trafikut.

Policia vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion. Për të rritur sigurinë në trafik në fuqi ka hyrë edhe Ligji i ri i komunikacionit që parasheh gjoba më të larta.