Gjatë ditës së djeshme opinioni kosovar është alarmuar për rrezikun që mund të shkaktojë Paracetamoli P-500.
Në rrjetet sociale qarkulloi një informacion se ky lloj paracetamoli përmban virusin “Machupo”, i cili mund të jetë vdekjeprurës. Ky virus ka shkaktuar vdekjen e 12 personave në vitin 2011 dhe disa raste të tjera më herët në Bolivi, vend ky ku edhe ka origjinën kjo sëmundje, shkruan Gazeta Shneta.
Por lajmi se virusi gjendet në paracetamol daton më herët sesa është shpërndarë në Kosovë. Vitin e kaluar, më 2 gusht qeveria e Singaporit ka bërë një deklaratë lidhur me këtë lajm.
Autoriteti Shkencor i Shëndetit në Singapor ka deklaruar se alarmi për virusin është i rrejshëm.
“Janë dy informacione se virusi ‘Machupo’ gjendet në paracetamol P-500 dhe ‘Akenil Paracetamol’. Por që të dyja janë të pavërteta”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Singapori ka deklaruar se ky lloj produkti medicinal nuk shitet në këtë shtet.
Këtë lajm e kishte mohuar edhe Ministria e Shëndetësisë e Malajzisë gjatë gushtit të vitit të kaluar. Ky shtet i kishte sugjeruar qytetarët e vet që të blejnë vetëm paracetamol të regjistruar nga ministria.
Ndërsa gjatë ditës së sotme është prononcuar edhe ministria e Shëndetësisë e Kosovës. Në njoftimin e saj, ministria thotë se Paracetamoli P-500 i prodhuesit “Apex”, nuk është i regjistruar për shitje në Kosovë.
“Lidhur me shkrimet ne media dhe postimet e ndryshme në rrjete sociale lidhur me atë se produkti medicinal Paracetamol P 500, i prodhuesit “Apex” llogaritet si një produkt vdekjeprurës, gjithnjë sipas këtyre raportimeve, Ministria e Shëndetësisë, pas informatave të siguruara nga Agjensioni Kosovar për Pajisje dhe Produkte Mjekësore, njofton opinionin se produkti në fjalë nuk është i regjistruar në Republikën e Kosovës”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
MSH ka bërë të ditur se inspektorët e Inspektoratit Farmaceutik janë duke kryer inspektime të rregullta në tregun farmaceutik kosovar, me qëllim të evitimit të qarkullimit eventual të çfarëdo produkti, i cili nuk ka autorizim marketing dhe të drejtë qarkullim në tregun kosovar. /Gazeta Shneta/