Spitali Bahceci ka marrë vendim që ta mbyllë degën e saj në Kosovë për shërbimet e IVF’it.
Një nga qendrat më të famshme për kryerjen e frytnimit të asistuar mjekësor (IVF), me bazë nga Turqia, Spitali Bahceci, është drejt mbylljes.
Gazeta Shneta, përmes burimeve të saj brenda spitalit, mëson se ky institucion po i mbyll dyert e operimit në Kosovë dhe pacientët kosovarë do t’i trajtojë për IVF vetëm në Turqi.
Deri në një vendim të tillë ka ardhur pas bastitjes nga Policia e Kosovës dhe Inspektoriati Shëndetësor muaj më parë, çka solli në gjetjen e parregullsive dhe mbylljen e laboratorit të IVF’it në spital.
Policia e Kosovës, në kohën e bastisjes gjatë muajit maj, kishte njoftuar se ka arrestuar katër persona në këtë spital nën dyshimin për veprat penale transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore’ dhe ’bashkëkryerje.
Në anën tjetër, nga Inspektoriati Shëndetësor njoftuan se janë gjetur parregullësi në zbatimin e Ligjit për shëndetin riprodhues dhe Udhëzimit Administrativ për Frytnim të Asistuar Mjekësor.
Që nga ajo kohë, laboratori i IVF’it është mbyllur në këtë spital duke sjell edhe vendimin final të menaxhmentit për mbylljen e degës së Spitalit Bahceci në Kosovë.
Kjo ka prekur më së shumti punëtorët e këtij institucioni të cilët qysh tash janë vënë në kërkim të punëdhënësve të rinj.
Ndryshe, Spitali Bahceci mbetet një nga qendrat më të frekuentuara nga çiftet kosovare për kryerje e procedurave të IVF’it. Ajo ka mbi 10 vjet që operon në Kosovë me laborator të IVF’it. /Gazeta Shneta/