Shteti i Kosovës nuk po i përmbush kërkesat për fëmijët me nevoja të veçanta. Para pak ditës, deputetët e Kuvendit nuk kanë votuar një amandament ku kërkohej buxhet rreth 700 mijë euro për psikologë dhe pedagogë për këta fëmijë nëpër shkolla.
Në Kosovë janë rreth 6 mijë fëmijë me nevoja të veçanta, të cilët vijojnë mësimin në shkolla të rregullta. Legjislacioni në fuqi u mundëson atyre që të kenë mundësi të barabarta shkollimi dhe përfaqësimi me fëmijët tjerë në shkolla.
Por, njëherësh për këta fëmijë nevojiten edhe asistentët nëpër klasat shkollore. Ndonëse me ligj, shteti i njeh ata si të barabartë me fëmijët tjerë, nuk ka ndarë ndonjë buxhet për nevojat e asistencës. Andaj, vite me radhë prindërit janë ata që detyrohen t’i paguajnë asistentët për angazhimet e tyre me fëmijët, sipas planit individual që kërkohet për fëmijët me nevoja të veçanta.
Drita Meta është nënë e vajzës 13-vjeçare, e cila ka lindur me sindromën doën.
Ajo thotë se i ndanë 150 euro në muaj, për asistenten e cila i ndihmon vajzës së saj në klasë për planin individual që ajo e ndjek.
“Elita është 13-vjeçare dhe është në klasën e gjashtë. Ajo përcillet me asistentë pasi që punon sipas planit individual, dhe kjo nuk është e përfshirë në plan-program të rregullt. Andaj ne jemi të obliguar që vajza të ketë asistentë. Ne paguajmë 150 euro në muaj për asistenten. Duke i marrë parasysh kushtet dhe pagat, është shumë e vështirë për neve”, thotë Meta.
Para pak ditësh, në seancën e Kuvendit të Kosovës, shumica e deputetëve nuk e ka përkrahur një amendament të propozuar nga deputetja Arbërie Nagavci, njëherësh ish-drejtoreshë e Arsimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, për fëmijëve me nevoja të veçanta. Me këtë amendament kërkohej që ata të kenë në shkolla asistentë shtesë, psikologë e pedagogë në çerdhe.
Drita Meta, shprehet e zhgënjyer me deputetët që nuk e kanë miratuar këtë amendament.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në “evropaelire.org”.