Dy persona që mbajtën pozitën e këshilltarëve dështuan në misionin e tyre për të marr pozitën e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.
Saudin Maliqi, ish-këshilltar i ministrit Armend Zemaj, e provoi pak kolltukun e drejtorit të SHSKUK-së. Maliqi e mbajti këtë pozitë derisa u.d. drejtori Valbon Krasniqi ishte i sëmurë me Covid-19, shkruan Gazeta Shneta.
Gjatë kësaj kohe, ndonëse ishte ushtrues detyre i ushtruesit të detyrës, Maliqi fliste sikur të ishte drejtor me mandat të plotë. Por nuk i zgjati shumë pasi Krasniqi u rikthye nga izolimi.
Pasi u hap konkursi për drejtor, garës ia mësynë Saudin Maliqi e Driton Ukmata. Ky i fundit ka mbajtur pozitën e ish-drejtorit Basri Sejdiu, i cili ishte përzgjedhur në këtë pozitë në kohën e Uran Ismailit të PDK-së.
Në konkurs fillimisht Krasniqit nuk iu pranua kandidatura me arsyetimin se nuk i plotësonte kriteret. Por tre ditë më vonë Krasniqi u rikthye në garë nga Sektori i Burimeve Njerëzore të SHSKUK-së.
Pas rikthimit të Krasniqit, nga gara u tërhoqën Ukmata e Maliqi me arsyetimin se konkursi nuk ishte transparent dhe i rregullt. Ndërkaq Krasniqi u zgjodh drejtor me 91 pikë. /Gazeta Shneta/