Si ndryshon truri i femrave gjatë shtatzënisë?

2017-03-23 në ora 18:24

Një studimi i fundit tregon se truri i femrave ndryshon pozitivisht gjatë shtatzënisë dhe e lidhë këtë me fluksin hormonal që ‘bombardon’ gratë gjatë kësaj periudhe.

Shtatzënia mbetet një nga periudhat më të bukura, por njëkohësisht më të mistershme dhe të padepërtueshme në mënyrë të plotë nga ana e shkencës apo psikologjisë, në jetën e një femre.

Përveç atyre gjërave që janë të provuar shkencërisht tashmë dhe nga përvoja e gjatë e njerëzimit mbi periudhën ne shtatzënisë, si p.sh shmangia e alkoolit, duhanit apo substancave të tjera gjatë kohës kur pritet të vijë një fëmijë në jetë, të cilat mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e fetusit apo problemet që kanë të bëjnë me hormonet, të cilat shpesh ndikojnë në lëkundjet e humorit të nënës, ajo që mbetet më e padepërtueshme ende dhe një sfidë për shkencën ka të bëjë me reagimin dhe gjendjen e trurit të nënës gjatë shtatzënisë.

Një përpjekje për të bërë transparencë në këtë pikë dhe për ta zbardhur disi enigmën vjen nga një studimi i publikuar në ‘Current Directions in Psychological Science’, sipas të cilit, përtej ndryshimeve të shpeshta të humorit dhe atyre hormonale, shtatzënia ndikon pozitivisht në trurin e femrave. Eksperimentet e para, të cilat janë ndërmarrë paraprakisht te kavjet, kanë treguar se një nga gjërat pozitive të periudhës së shtatzënisë  është se ndikon në rritjen e  funksionalitetit të neuroneve të nuhatjes, dhe gjëja më interesante është se këto ndryshime vazhdojnë të kenë ndikimin e tyre prapaveprues edhe pas lindjes.

Tek kavjet që iu nënshtruan eksperimentit, shtatzënitë e shumta kanë sjellë ndryshime po kaq të shumta në numër, duke përftuar pothuajse një metamorfozë të femrës. Sipas studiuesve, nuk mund të thuhet me siguri nëse të plotë e njëjta gjë ndodh edhe me gratë, kjo mbetet ende një mister. Njerëzit janë të ndryshëm nga minjtë (tek të cilët u realizua eksperimenti), por “mundësitë janë vërtetë të shumta që shtatzënia të mund të ndryshojë funksionet e trurit me efekte prapavepruese pozitive tek femrat.

Fluksi hormonal që pushton trupin e grave shtatzëna, në fakt është shumë më i madh se gjatë periudhës së adoleshencës.  Dhe ashtu si hormonet ndikojnë në psikikën  e njeriut në këtë fazë kaq të rëndësishëm të zhvillimit të tij , e njëjta gjë ndodh edhe gjatë shtatzënisë”, thonë studiuesit. Sipas psikologëve, shtatzënia është një periudhë psikologjikisht komplekse dhe pjellore për gratë. Përveç përjashtimeve të rralla, niveli i hormoneve tipike të kësaj faze të jetës ndikojnë në modifikimin e humorit dhe mendjes së atyre që e përjetojnë këtë periudhë.

Pra, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me çrregullime depresive apo sëmundje, faza kur një femër është duke pritur të vijë në jetë fëmija i saj, mund të jetë një kohë shumë e mirë për të. Aq e vërtetë është kjo saqë disa e quajnë “muaj mjalti”, pavarësisht nga lodhja fiziologjike që ndodhë në mënyrë krejt të natyrshme.