Shkruan: Dr. Florina Humolli
Duke ditur që shumë nga ne po kalojmë ditët dhe javët brenda shtëpive tona dhe shumicën e kohës e shohim veten duke ngrënë edhe kur nuk kemi nevojë, po e shoh të arsyeshme që të ndajë me ju disa këshilla dhe udhëzime se si të kujdesemi për dhëmbët dhe gojën. Shumë prej tyre i keni dëgjuar edhe më parë, por në këtë kohë rëndësia e tyre është shumëfishuar.
Pastroni dhëmbët 2 herë në ditë me pastë dhe brushë: Pastrimi të bëhet çdo herë dhe menjëherë pas konsumimit të ëmbëlsirave dhe gjithsesi para gjumit.
Aplikojeni teknikën e drejtë të pastrimit: Lëvizje gjysmë-rrethore me brushë duke përfshirë të gjitha sipërfaqet e dhëmbit edhe gjuhën, dhe kujdes kohëzgjatjen, që duhet të jetë 2-3 minuta.
Pasta juaj duhet çdo herë të ketë përmbajtje të fluorit.
Përdoreni perin dental 1 herë në ditë, për të arritur në hapësira mesdhëmbore ku fijet e brushës nuk depërtojnë dot. Tentoni të eleminoni përdorimin e rrëmojcave të drunjta apo plastike.
Në këtë kohë është e rekomandueshme të përdoren shpërlarësit e gojës 1 herë në ditë, që të reduktohet pllaku dental, i cili shkakton prishjen e dhëmbit dhe skuqjen e mishrave. Gjithmonë të përdoret pas larjes së dhëmbëve.
(KUJDES! Jo shpërlarës me bazë të lartë alkooli, sepse shkatërron floren normale bakteriale.)
Një nga gjërat më të rëndësishme është pastrimi i brushës. Kjo duhet të bëhet duke e vendosur brushën për 10 minuta në një tas me peroksid hidrogjeni 3% dhe shpërlarës të gojës.
Brushat e familjes duhet të qëndrojnë ndaras njëra nga tjetra dhe të mbyllura në dollap.
Në asnjë mënyrë mos të përdoret një brushë nga dy e më shumë persona, madje duhet të evitohen rastet aksidentale të këtij përdorimi.
Duhet kushtuar kujdes i madh vjetërsisë së brushës. Ajo në kushte normale duhet të ndërrohet çdo 3 muaj, por në këtë periudhë duhet të ndërrohet edhe më shpesh.
Në toaletin tuaj, gjatë lëshimit të ujit në guaskë gjenerohen spërkla në perimetrin e saj. Prandaj në këtë periudhë, detyrimisht këshillohet që këtë veprim ta bëjmë duke e mbyllur kapakun e guackës. Kjo mund të aplikohet gjithmonë edhe pas pandemisë.
Në këtë periudhë stomatologët punojnë vetëm për raste urgjente në Qendrën Klinike Stomatologjike të Kosovës dhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Këto raste mund të përshkruhen si dhimbja e padurueshme therëse që zgjatë dhe që nuk ndalet.
Për shqetësime tjera apo për procese mjekimi që i keni ndërprerë, mbani kontakt me stomatologun tuaj dhe mos tentoni të merrni hapa pa u konsulltuar. Preferohet që për disa nga shqetësimet e lehta sikur dhimbje të vogla të dhëmbit apo mishrave, të përdoren analgjetik (Paracetamol), mirëpo tentoni gjithmonë të bini në kontakt me stomatologun tuaj.
Këto këshilla dhe udhëzime kanë bazë shkencore, duke përfshirë edhe përditësimet e fundit për COVID-19 në platformën “HealthLine”.
Rrini në shtëpi dhe kujdesuni për veten!