Kryeministri Isa Mustafa gjatë ditës së djeshme priti një delegacion të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Me ta bisedoi për kushtet e punëtorëve, ndërsa u deklarua edhe për ngritjen e pagave. Mustafa tha se është i orientuar për rritjen e rrogave, por kjo duhet të bëhet në pajtim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në përputhje me rritjen ekonomike, shkruan Gazeta Shneta.
E kjo deklaratë i ka irrituar sindikalistët shëndetësorë të cilët po kërkojnë tash e disa ditë rritje të pagave. Ata mbajtën edhe një protestë, e madje kërcënojnë se do t’i radikalizojnë hapat e mëtutjeshëm.
Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, thotë se BSPK-ja nuk mund të flas në emër të tyre pasi ata janë të manipuluar nga shteti.
“Dje e kemi marr një letër nga ministri i Shëndetësisë ku na fton që të presim edhe tri ditë pasi kryeministri është duke i shqyrtuar kërkesat, por deklarata e djeshme e kryeministrit është mjaft irrituese për punëtorët shëndetësorë, posaçërisht për mjekët specialistë”, ka deklaruar Syla.
“Unë e kam pa një injorancë nga ana e Qeverisë”, shton ai.
Syla thotë se do të presin deri javën e ardhshme për një takim me kryeministrin, në të kundërtën do të radikalizohen edhe me bojkotim të tërësishëm të punës.
“Ne do të presim për ftesën e kryeministrit dhe hapat e mëtutjeshëm ne i kemi bërë të ditur edhe më herët, do të jenë më radikal sesa që janë tash, do ta bojkotojmë punën në krejt sistemin shëndetësor”, ka deklaruar Syla.