Raportet tregojnë se COVID i gjatë mund të lidhet me një çrregullim autonom të quajtur sindroma e takikardisë ortostatike posturale (POTS).
Ekspertët spekulojnë që antitrupat COVID-19 mund të synojnë sistemin nervor autonom, i cili mund të shkaktojë sindromën e takikardisë ortostatike posturale pas një infeksioni, shkruan Very Well Health përcjell Gazeta Shneta.
Shumë nga ndërlikimet e hasura që disa njerëz përjetojnë pas një infeksioni COVID-19 – si lodhja dhe gulçimi – duken si mbetje të sëmundjes së tyre fillestare. Por raportet e reja tregojnë se këto simptoma mund të jenë të lidhura me një gjendje ende të kuptuar dobët: sindroma e takikardisë ortostatike posturale (POTS).
Kjo sindromë është një çrregullim autonom, që do të thotë se prek ‘degën’ e sistemit nervor që rregullon presionin e gjakut, rrahjet e zemrës dhe temperaturën e trupit.
Në shtator, Kalifornia regjistroi rastin e parë të sindromës së takikardisë ortostatike posturale pas një rasti me SARS-CoV-2, virusi që shkakton infeksionin COVID-19. Më vonë, më shumë raste filluan të shfaqeshin, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por edhe në vendet e tjera.
Të dhënat për lidhjen midis të dy gjendjeve janë ende në fazat e hershme. Nuk ka ndonjë studim të madh që shikon normat e sindromit në fjalë në raport me pacientët me COVID-19.
“POTS është një sindromë që karakterizohet nga një rritje mjaft dramatike e rrahjeve të zemrës kur qëndroni në këmbë”, thotë për Very Well Health, Dr. F. Perry Wilson, mjek në Yale Medicine.
“Me fjalë të tjera, kur një pacient me POTS ngrihet në këmbë nga pozita shtrirë ose ulur – zemra e tyre fillon të rrah shumë shpejt.”
Disa simptoma të POTS mund të përfshijnë: gulçim, dhimbje koke, lodhja, përqendrim i dobët, rrahjet e zemrës, dobësi dhe ankth.
Në përgjithësi, çrregullimi mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës së një personi.
“Pacientët me POTS mund të kenë vështirësi të qëndrojnë në radhë në dyqane ushqimore, ose të lajnë dhëmbët ose të gatuajnë në kuzhinë”, thotë Dr. Wilson.
POTS mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, por shumica e rasteve ndodhin në gratë midis 15 dhe 50 vjeç. /Gazeta Shneta/