Prej emërimit të tij si ushtrues detyre i kryeshefit në AKPM në vitin 2011, emërimit të tij në këtë pozitë katër vite më vonë dhe deri më sot, Jeton Shala është subjekt i skandaleve dhe lidhjeve të forta me pushtetin
Gjatë vitit 2011, Jeton Shala mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale. Në këtë kohë ai kishte aplikuar për leje pune si farmacist në Ministrinë e Shëndetësisë.
Komisioni i përbërë nga Haki Jakupi, Milaim Abdullahu e Zehadin Gashit, siç ka shkruar Koha Ditore në atë kohë, ia kishin lëshuar lejen e punës bazuar në një licencë të skaduar e printuar nga një uebfaqe amerikane e cila nuk kishte as vulë dhe as të dhëna për shkollimin e Shalës. Madje ky nuk kishte as diplomë të studimeve të farmacisë, shkruan Gazeta Shneta.
Megjithatë, Shala kishte arritur jo vetëm të merrte lejen e punës por edhe të vinte në krye të AKPM-së katër vite më vonë. Emërimi i tij u bë nga Qeveria më 28 shtator të vitit 2015, kohë kjo kur kryeministër ishte Isa Mustafa.
Por Shala ishte siguruar të mbante lidhjet edhe me partinë kundërshtare të Isa Mustafës, PDK-në. Një vit më vonë, në 2016, në AKPM ishte punësuar Gëzim Shabani, i biri i ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani. Gëzimi mbante edhe postin e asamblistit të PDK-së në Komunën e Mitrovicës. Pozita në të cilën ishte pranuar ai, kërkonte që i punësuari të bënte matjen e parametrave fiziko-kimikë, ndërsa Shabani kishte përfunduar vetëm studimet për mjekësi të përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë.
Për këtë punësim, Qeveria e Mustafës e kishte dërguar Shalën në Komision Disiplinor.
Në vitin 2016, Shala ishte përballur me një aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Gazeta Zëri ka raportuar në atë kohë se Shala ishte njëri nga të dyshuarit për vjedhjen e ilaçeve. Vjedhja e ilaçeve kishte ndodhur në vitin 2011 në dhomën e dëshmive në AKPM, kur Shala ishte ushtrues detyre i kryeshefit në këtë institucion.
Skandali i fundit në AKPM në krye me Jeton Shalën është zhdukja e mbi 300 mijë eurove nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë. Për këtë skandal është arrestuar një nga vartësit e tij, Mendim Sojeva, shef i divizionit të financave dhe buxhetit, ndërsa drejtori i Administratës Sejdë Tolaj është dërguar në Komision Disiplinor.
Në këtë skandal janë të përfshirë edhe zyrtarë të tjerë nga Ministria e Shëndetësisë, ku janë zhdukur rreth 100 mijë euro. Tërheqjen e 400 mijë eurove në emër të avanseve për udhëtime zyrtare e kishte bërë zyrtari i financave në MSH, Fatmir Kajtazi. Paratë ishin tërhequr nga 3 mijë deri në 20 mijë euro, të cilat nuk janë arsyetuar.
Gazeta Shneta ka telefonuar dhe ka dërguar mesazh në numrin e Jeton Shalës, për të kërkuar sqarime si dhe nëse do të jap dorëheqje nga pozita e kryeshefit, por ai nuk ka kthyer përgjigje.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në reagimin e tij për këtë skandal ka thënë se do të bëhet auditim i brendshëm, ndërsa lënda është dërguar edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ai ka deklaruar poashtu se për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, ndërsa është zotuar se do të luftohet keqpërdorimi i pozitës zyrtare. /Gazeta Shneta/