Kryeshefi i AKPPM-së, Jeton Shala, nuk i është përgjigjur thirrjes së Komisionit për Shëndetësi
Komisioni parlamentar për Shëndetësi kishte ftuar për raportim kryeshefin e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Jeton Shala.
Ndonëse kishte konfirmuar shkuarjen, Shala një ditë para mbajtjes së mbledhjes kishte anuluar pjesëmarrjen e tij, shkruan Gazeta Shneta.
Kryetarja e këtij komisioni, deputetja Besa Baftiu, ka thënë se Shala ka anuluar ardhjen me arsyetimin se ka angazhime.
“Mbrëmë vonë ka lajmëruar se nuk mund të vijë, me arsyetimin se ka disa takime për shkak të keqpërdorimeve të 300 mijë eurove”, ka deklaruar Baftiu.
Në AKPPM dyshohet se janë keqpërdorur mbi 300 mijë euro nga një numër i zyrtarëve të cilët kanë bashkëpunuar edhe me të tjerë nga Ministria e Shëndetësisë.
Komisioni ka vazhduar punën duke diskutuar për raportin e auditorit për implementimin e Sistemit Informativ Shëndetësor. /Gazeta Shneta/