Zyrtari financiar i Ministrisë së Shëndetësisë, Fatmir Kajtazi, është arrestuar pas dyshimeve se është i përfshirë në skandalin e tërheqjes së avancave. Në këtë skandal, të përfshirë disa zyrtar të MSH-së dhe Agjencisë për Produkte Medicinale, dyshohet se janë keqpërdorur mbi 500 mijë euro.
Kajtazi dyshohet se gjatë vitit 2016 dhe 2017 ka tërhequr para nga kodi buxhetor 206 i MSH-së, i cili përmban rreth 500 mijë euro çdo vit. Rreth 400 mijë euro janë tërhequr në shuma prej 3 mijë deri 20 mijë euro me arsyetimin për avance për udhëtime jashtë vendit, udhëtime këto të cilat nuk kanë ndodhur kurrë.
Arrestimin e Kajtazit e ka konfirmuar sot Policia e Kosovës nëpërmjet raportit zyrtar. Kajtazi ka qenë i pezulluar nga puna pas këtij skandali bashkë me Shkëlzen Sadriun dhe Ganimete Gashin. Ndërkaq për këtë skandal është arrestuar edhe zyrtari financiar i AKPM-së, Mendim Sojeva.