Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e ka hequr fajin nga vetja për skandalin me llotarinë në Radiologji dhe ia ka hedhur drejtorit të klinikës Dr. Bujar Gjikollit për të cilin kanë deklaruar se nuk i ka pyetur fare.
Drejtori i Klinikës së Radiologjisë Dr. Bujar Gjikolli ka organizuar një llotari në një aheng të fundvitit, për financimin e dy punonjësve të klinikës në një kongres në Austri. Ky financim është bërë nga kompanitë që fitojnë tenderë milionësh në QKUK, “Medica” dhe “Medical Group”, shkruan Gazeta Shneta.
Për këtë skandal pas raportimit të Gazetës Shneta, ka raportuar edhe Klan Kosova. Në një përgjigje për këtë të fundit, SHSKUK ia ka hedhur fajin Gjikollit për këtë organizim duke thënë se nuk e ka konsultuar fare drejtorinë.
“Organizimi i Klinikës së Radiologjisë ka qenë i pavarur dhe nuk është konsultuar drejtoria e SHSKUK-së. Pra, organizimin e ka bërë klinika e Radiologjisë dhe ato nuk janë qëndrime nga menaxhmenti i SHSKUK, me gjithë qëllimin e mirë të drejtorit të klinikës për transparencë, tashmë SHSKUK e ka zyrën për donacione dhe të gjitha donacionet duhet të drejtohen përmes kësaj zyre”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/