Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetimet për aplikimin e kontrastit ‘Clariscan’ me dozë më të vogël se sa duhej, pas raportimit disa serive të raportimeve nga Gazeta Shneta. Për këtë skandal është kërkuar edhe shkarkimi i drejtorit të Radiologjisë Bujar Gjikolli
Lajmin për nisjen e hetimeve e ka konfirmuar për KTV-në Dr. Bajram Ajeti, prokuror i Odës së Mjekëve të Kosoveës. Ai nuk ka dhënë më tepër detaje për këtë rast për shkak të hetimeve.
Ndërkaq kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve Besim Kodra ka deklaruar se për këtë rast duhet të merren masa dhe të shkarkohet drejtori i Radiologjisë Bujar Gjikolli.
Gazeta Shneta ka raportuar për këtë skandal në dhjetor të vitit të kaluar ku dyshohej se Gjikolli kishte dhënë urdhër për alikimin e dozës së kontrastit me principe të gabuara. Për këtë urdhër të tij kishte reaguar kompania “Amicus LLC”, si përfaqësues zyrtar i prodhuesit të kontrastit ‘Clariscan’, kompania amerikan “GE Healthcare”.
Se kontrasti ishte injektuar me dozë më të vogël sesa duhej e kishte pranuar një muaj më vonë edhe vet Gjikolli në një intervistë për media. Gjikolli pati deklaruar se pas reagimit të operatorit ekonomik i kishte ndryshuar dozat e kontrastit.
Për raportimet e Gazetës Shneta, Gjikolli kishte deponuar ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara, por ky i fundit e kishte hedhur poshtë ankesën e tij pasi raportimi kishte të bënte me interesin e lartë publik për shkak të shëndetit të qytetarëve.
Ndërkaq menaxhmenti i SHSKUK-së ende nuk ka marr asnjë masë lidhur me këtë situatë. /Gazeta Shneta/