Në skandalin e avancave në AKPM dhe MSH dyshohet se për më shumë se 2 vite janë keqpërdorur rreth 800 mijë euro. Hetimet janë zgjeruar edhe në Thesarin e Kosovës, ku dyshohet se zyrtarja I.Sh. ka ndërhyrë në llogaritë e këtyre dy institucioneve
Nga viti 2016 deri në muajin prill të këtij viti, dyshohet se janë keqpërdorur rreth 800 mijë euro në emër të udhëtimeve zyrtare të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale. Në fakt, këta zyrtarë nuk kanë udhëtuar fare e as që kanë qenë në dijeni se në emër të tyre po tërhiqen para nga buxheti i shtetit, shkruan Gazeta Shneta.
Deri më tani Policia e Kosovës ka arrestuar shefin e Divizionit të Financave të AKPM-së, Mendim Sojeva, ndërsa ka intervistuar më shumë se 20 zyrtarë në këtë institucion.
Gazeta merr vesh se disa prej tyre iu janë konfiskuar edhe kompjuterët e punës nga njësitet e kibernetikës së Policisë. Poashtu dyshohet se keqpërdorimet janë kryer përmes lidhjeve familjare.
K.Sh. zyrtar i të hyrave në AKPM është punësuar para tri viteve në këtë institucion. Gjatë gjithë këtyre viteve ai ka punuar me kontratë për shërbime të veçanta, gjë që është në kundërshtim me ligjin. Përveç lidhjeve familjare me kryeshefin Jeton Shala, ai ka lidhje familjare edhe me I.Sh. zyrtare për shpenzime në Thesarin e Kosovës.
Gazeta merr vesh se Policia ka konfiskuar kompjuterin e K.Sh. ndërsa ka intervistuar edhe I.Sh. Kjo e fundit dyshohet se përmes sistemit ‘freebalance’ ka ndërhyrë në llogaritë e AKPM-së dhe MSH-së ku ka kryer ekzekutimin e mjeteve për avancat e udhëtimeve zyrtare.
Burime të Gazetës bëjnë të ditur se zyrtarja e Thesarit, I.Sh. ka mohuar se ka kryer ekzekutimin e mjeteve, duke u arsyetuar se është keqpërdorur llogaria e saj.
Në këtë mes qëndron edhe një zyrtar tjetër i Ministrisë së Shëndetësisë, Shkëlzen Sadriu, i cili ka qenë i autorizuar me vendim të Jeton Shalës në shtator të vitit të kaluar, për të kryer procedurat për kërkesat mbi avance.
Këto para më pas dyshohet se janë tërhequr nga Sadriu dhe dy zyrtarët tjerë Fatmir Kajtazi dhe Ganimete Gashi. Që të tre janë pezulluar nga puna në Ministrinë e Shëndetësisë.
Këto para më pas janë dorëzuar tek Mendim Sojeva, tashmë i arrestuar nga Policia. /Gazeta Shneta/