Komisioni i formuar për rastin e pacientes, e cila dyshohet se ka lindur fëmijën në pllakat e Klinikës së Gjinekologjisë, i ka dërguar një raport zyrtar drejtorit të ShSKUK-së në lidhje me të gjeturat e tij.
Detyrë e këtij komisioni ka qenë që të shqyrtojë rastin e pacientes, e cila ka qenë e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë dhe për të cilën janë ngritur dyshime për neglizhencë nga stafi mjekësor.
“Ju konfirmojmë se komisioni ka dorëzuar një raport zyrtar përmes të cilit janë rekomanduar disa masa për përmirësim procedurale në të ardhmen, por edhe rekomandim për procedim në Komision Disiplinon të një numri të stafi të involvuar për shkelje të supozuar të detyrave dhe përgjegjësive në punë. Drejtori ka zbatuar rekomandimin e komisionit që ka hulumtuar rastin”, thuhet në përgjigjen e zyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKU-së për KALLXO.com.
I takon Komisionit Disiplinor si organ i pavarur të vlerësojë në tërësi rastin sipas gjithë dëshmive në dispozicion dhe të dalë me vendim zyrtar në lidhje me shkeljen e supozuar për një pjesë të stafit për rastin në fjalë, thuhet po ashtu në përgjigje.
KALLXO.com raportoi më 7 prill për fillimin e hulumtimit rreth dyshimeve për një lindje pa përkujdesje në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.