“Solidarizohemi me grevën”, shëndetësia në shërbim vetëm për rastet urgjente (Foto)

2017-04-27 në ora 10:19

Nëpër të gjitha klinikat e QKUK-së janë vendosur lajmërime për solidarizim me grevën e organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.

Shumica e rasteve që janë pranuar nga stafi mjekësor, kanë qenë urgjente ndërsa të tjerat janë kthyer mbrapshtë, shkruan Gazeta Shneta.

Në korridoret e klinikave kishte pak staf mjekësor. Bojkotimi i punës gjatë grevës 24-orëshe, është shfrytëzuar nga stafi mjekësor për muhabete, të qeshura, e ndonjë cigare në hyrje të klinikave.

Këshilli grevist e ka konsideruar mbarëvajtjen e grevës si të rregullt e pa probleme.

Sabri Cakaj nga Këshilli grevist në QKUK, thotë se fal mirëkuptimit të pacientëve dhe përkrahjes nga stafi mjekësor, gjithçka është duke shkuar në rregull.

“Nuk ka më rëndë sesa të punosh në një profesion human siç është mjekësia dhe t’i refuzosh pacientët e të mos ua kryesh shërbimin. Në këtë gjendje na ka sjellë Qeveria”, thotë Cakaj.

Prej fillimi të grevës në ora 7 të mëngjesit, ai është duke monitoruar gjendjen nëpër klinikat e QKUK-së.

Cakaj tregon se rastet urgjente nuk janë kthyer mbrapshtë. “Ishte një rast me një djalë nga Gjilani të cilit i ishte ngulitur një kaçavidë në kokë dhe kishte nevojë për ekzaminim me CT. Sigurisht se një rast i tillë nuk mund të refuzohet”.

Ai tregon edhe për shërbime të tjera që janë kryer deri më tani, si rëntgeni, analiza biokimike apo rezultate të analizave të palcës kurrizore.

Pacientët janë kthyer mbrapshtë në të gjitha klinikat. Në Gjinekologji janë kryer shërbimet për lindje, por jo edhe të tjera. Në Pediatri poashtu janë refuzuar pacientët, ndërsa janë pranuar vetëm rastet urgjente.

Cakaj thotë greva zyrtarisht mbyllet nesër në ora 7 të mëngjesit, ndërsa kujdestaria pasdite do të funksionojë.

Ai ka bërë të ditur se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, përkundër se ky i fundit ka deklaruar në media se janë duke rishikuar ligjin për paga në bashkëpunim me kryeministrin Isa Mustafa.

Cakaj ka thënë se nuk varen nga situata politike në vend dhe se nuk do të presin më gjatë. /Gazeta Shneta/