Spitali Amerikan në Shqipëri ka hapur dyert për të lënduarit nga tërmeti që ndodhi sot në orët e para të mëngjesit.
Drejtori i këtij institucioni privat shëndetësor, Dr. Klodian Allajbeu, gjatë një prononcimi për media ka deklaruar se në këtë situatë emergjence Spitali Amerikan në kordinim me Ministrinë e Shëndetësisë ofron ndihmën e parë falas për të gjithë personat e lënduar nga tërmeti që goditi vendin tonë.
“Në të tre degët tona stafi mjekësor është në gadishmëri të plotë për të pritur dhe për tu përballur me çdo emergjence shëndetësore që mund të kenë patur personat e dëmtuar dhe familjarë të tyre. Një numër i madh pacientësh ka marrë ndihmën e parë pranë urgjencave dhe disa prej tyre vazhdojnë të jenë nën kujdesin mjekësor. Spitali Amerikan është pranë jush me të gjitha shërbimet e tij në këtë situatë të vështirë kombëtare”, ka deklaruar Allajbeu.
Deri më tani raportohet për të paktën tetë viktima dhe shumë të lënduar në zonën e Durrësit ku ka qenë epiqendra e tërmetit 6.3 ballësh. /Gazeta Shneta/