Punëtorët e Klinikës së Radiologjisë në QKUK kanë paralajmëruar grevë për shkak të kushteve të rënda të punës. Në një letër dërguar Gazetës, ata thonë se po rrezikohen të sëmuren nga sëmundje kancerogjene për shkak të rrezatimit
Punëtorët e Klinikës së Radiologjisë në QKUK janë alarmuar nga matjet e fundit të rrezatimit që janë bërë në këtë klinikë. Në një letër që i kanë dërguar Gazetës Shneta, stafi i Radiologjisë po kërkojnë përmirësim të kushteve të punës, në të kundërt paralajmërojnë grevë.
“Edhe pse punëtorët e klinikës së Radiologjisë kanë reaguar shumë herë lidhur me rrezikun që po u kanoset në punë, nga mungesa e masave mbrojtëse dhe ekspozimit ndaj rrezeve x, stafi menaxherial i ka injoruar dhe vazhdon t’i injoroj kërkesat dhe shqetësimet e stafit të klinikës”, thuhet në letrën e tyre.
Tutje përmenden edhe sëmundjet kancerogjene si rrezik për punëtorët, mjekët, teknikët dhe infermierët. “Ambientit të rrezikshëm mund t’i atribuohen edhe sëmundjet kancerogjene e disa punëtorëve të Klinikës të cilat tash e sa muaj enden dyerve të spitaleve jashtë vendit ku edhe pas kësaj këto punëtore u ‘shtrënguan’ të punojnë nën kërcënimin ‘ruani vendet e punës’, ‘drejtoria po kërkon kurban’”, thuhet në këtë letër.
“Mungesa e ventilimit dhe gjendja e tashme e konstatuar e ekspozimit të stafit ndaj rrezatimit ka shtuar panikun dhe gatishmërinë e stafit që të futet në grevë duke ndaluar punën, por kjo po has në kundërshti e presione nga menaxhmenti aktual”, përfundon letra. /Gazeta Shneta/