Studiuesit e Universitetit të Queensland kanë zbuluar se shijimi i një kafeje të përditshme nuk shkakton rritje të rrezikut për shtatzëninë.
“Udhëzimet aktuale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se gratë shtatzëna duhet të pinë më pak se 300 mg kafeinë, ose dy deri në tre filxhanë në ditë,” tha Dr. Gunn-Helen Moen, njëri nga udhëheqësit e studimit.
“Por kjo bazohet në studimet vëzhguese ku është e vështirë të ndash pirjen e kafesë nga faktorë të tjerë rreziku si duhani, alkooli ose dieta e dobët” përcjell Gazeta Shneta.
“Ne donim të zbulonim nëse vetëm kafeja me të vërtetë rrit rrezikun e rezultateve të pafavorshme të shtatzënisë dhe hulumtimi tregon se nuk është kështu”.
Dr. Daniel Hwang, tregon se sjellja e pirjes së kafesë është pjesërisht për shkak të gjenetikës, me një grup specifik variantesh gjenetike që ndikojnë në sasinë e kafesë që pimë.
“Ne treguam se këto variante gjenetike ndikojnë jo vetëm në konsumimin e kafesë në popullatën e përgjithshme, por edhe te gratë shtatzëna”, tha ai.
Për të mësuar më shumë rreth komplikimeve të shtatzënisë KLIKO KËTU.
Studiuesit përdorën një metodë të quajtur ‘Mendelian Randomizimi’, e cila përdorte tetë variante gjenetike që parashikonin sjelljen e pirjes së kafesë së grave shtatzëna dhe ekzaminuan nëse këto variante ishin të lidhura edhe me rezultatet e lindjes.
Analiza gjenetike zbuloi se nuk kishte rrezik më të madh të abortit, lindjes së vdekur ose lindjes së parakohshme për gratë që pinin kafe.
Mirëpo, studiuesit theksojnë se ky hulumtim shqyrtoi vetëm disa rezultate negative të shtatzënisë dhe është e mundur që konsumimi i kafeinës mund të ndikojë në aspekte të tjera të rëndësishme të zhvillimit të fetusit.
“Për këtë arsye, ne nuk rekomandojmë një konsum të lartë gjatë shtatzënisë, por një konsum të ulët ose të moderuar të kafesë,” tha Dr. Moen.
Ky hulumtim është botuar në ‘International Journal of Epidemiology’ dhe ka përdorur të dhëna gjenetike nga Coffee and Caffeine Consortium Genetics, BioBank në Mbretërinë e Bashkuar, Avon Longitudinal Study of Parents and Children dhe 23andMe. /Gazeta Shneta/